Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dëshmuar për herë të fundit në gjyqin ndaj tij, duke përmbyllur marrjen në pyetje dhe kundërpyetjet në 98 seanca dëgjimore lidhur me tre çështjet e korrupsionit për të cilat po gjykohet.
Dita e parë e dëshmisë së Netanyahut ishte më , por procesi u shty vazhdimisht për shkak të problemeve shëndetësore, udhëtimeve diplomatike jashtë vendit dhe kërkesave të shumta për anulimin ose shkurtimin e seancave për shkak të çështjeve urgjente të sigurisë dhe diplomacisë që kërkonin vëmendjen e kryeministrit.
Në përfundim të dëshmisë së tij, Netanyahu sulmoi ashpër prokurorët, raporton timesofisrael . “Qëllimi ishte të kontrollonin gjithçka me imtësi, të gjenin diçka; por nuk gjetën asgjë. Morën në pyetje të gjithë të afërmit dhe familjarët e mi, me metoda hetimi të pabesueshme. Shkatërruan familje.
Ata nuk po kërkonin një krim, po kërkonin një person dhe nuk gjetën asgjë”, citohet të ketë thënë Netanyahu sipas Channel 13. Netanyahu akuzohet për tri vepra mashtrimi dhe shpërdorimi të besimit në çështjet 1000, 2000 dhe 4000, si dhe për një akuzë për marrje ryshfeti në formën e mbulimit pozitiv mediatik në çështjen 4000.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë edhe për disa muaj të tjerë, ndërsa dëshmitarët e mbetur do të japin dëshmitë e tyre. Seancat për dëshminë e Netanyahut u zhvilluan në Gjykatën e Qarkut në Tel Aviv, pasi Gjykata e Qarkut në Jerusalem nuk kishte masa të mjaftueshme sigurie për kryeministrin. Tashmë procesi do të rikthehet në Jerusalem.
