Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar deklaratën e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Hazirit që u publikua nga Radio Evropa e Lir, sot, më , për çështjen e presidentit.
REL raportoi se Haziri ka deklaruar që LDK mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.
Sipas deklaratës së Hazirit të publikuar në REL, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së duke thënë “Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im.” Përmes një video të publikuar në Facebook, Molliqaj thotë se “LDK po e konfirmon çdo ditë që është parti pa ide e pa përkushtim politik” dhe pretendon se po udhëhiqet nga grupe interesi e individë që luftojnë vetëm për poste.
“Së pari po i lutet me emra konkret Vetëvendosjes për president, s’bën Vetëvendosja, po bën Lumiri e bën Lutfiu. Vjosa Osmanin e përdorën qartazi për m’i ngritë votat për vete që me pas hise më të madhe në pushtet që me kushtëzu Vetëvendosjen për koalicion.” – ka thënë Molliqaj.
“Këta nuk kanë më asnjë ide dhe përkushtim për politikën, këta janë aty si inercion i kohës dhe interesave individuale grupore e biznesore. Kjo ka me rreziku Kosovën, sepse me këtë qasje opozitare, vështirë që do të kemi opozitë përnime.” – ka shtuar ai.
Molliqaj e kritikoi edhe Partinë Demokratike të Kosovës, e cila sipas tij nuk ka asnjë reagim përveç atij fillestar se “dojnë hise në pushtet me Kurtin, m’i nda pozicionet.” Për këtë deklarim të tij, KALLXO.com i ka dërguar pyetje Faton Abdullahut, zëdhënësit të PDK-së dhe është në pritje të përgjigjeve.
Kurse, për pretendimin e tij se LDK e përdori ish-presidenten Vjosa Osmani që t’i ngriten votat në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, KALLXO.com e ka pyetur Egnesa Vitijën, pjesë e stafit të presidentes Osmani, por deri në publikimin e lajmit, nuk ka dhënë përgjigje.
LDK garoi në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 me kandidatin për kryeministër Lumir Abdixhiku dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin. Por, rezultatet e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ende nuk janë çertifikuar, e nxori këtë parti të tretën, pas LVV-së e PDK-së. Në anën tjetër, Lutfi Haziri dha një sqarim pak orë pas deklartimit të tij në REL.
Në sqarimin e tij, Haziri thotë se “Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së.” “Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional.
Kryetari Lumir Abdixhiku mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt.” – Haziri në Facebook. Ai lë mundësinë që kërkesat politike, çfarëdo natyre qofshin, do të trajtohen brenda strukturave legale të LDK-së. “Demokracia është barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës. Kauza “një parti, një shtet” është kauzë e humbur.
Askush mbi Republikën!” – ka shtuar ai. Në anën tjetër, kohëve të fundit, Lumir Adixhiku po përballet me kërkesa nga dega e LDK-së në Lipjan, Pejë dhe Dega e dytë në Prishtinë, për të dhënë dorëheqje nga udhëheqja e Lidhjes. Abidxhiku reagoi fuqishëm duke bërë të ditur se nuk tërhiqet nga ky post edhe pas rezultatit zgjedhor.
