Ministria e Shëndetësisë mirëpret publikimin e Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2025 nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
“Raporti konfirmon se Ministria e Shëndetësisë ka pranuar opinion të pamodifikuar për Pasqyrat Financiare Vjetore, që nënkupton se pasqyrat financiare paraqesin një pamje të drejtë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me standardet dhe legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se, përveç çështjeve të identifikuara në raport, transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer, në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në komunikatën e MSH-së.
Pavarësisht disa interpretimeve të pjesshme që janë paraqitur sot në raportimet mediale, raporti zyrtar i Zyrës Kombëtare të Auditimit konfirmon opinionin e pamodifikuar për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe paraqet rekomandime për avancimin e mëtejshëm të proceseve të kontrollit, monitorimit dhe dokumentimit në fusha të caktuara të menaxhimit financiar dhe administrativ.
Sipas MSH-së, raporti evidenton disa fusha që kërkojnë përmirësim të mëtejmë në aspektin e menaxhimit, monitorimit dhe dokumentimit të proceseve të caktuara administrative dhe operative. Ministria e Shëndetësisë i trajton çdo herë me prioritet të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e auditorit dhe do të ndërmarrë veprime për adresimin e tyre në afatet e përcaktuara.
“Vlen të theksohet se gjatë auditimit për vitin 2025 është konstatuar se të tri rekomandimet të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin paraprak janë zbatuar plotësisht nga Ministria e Shëndetësisë, duke dëshmuar përkushtimin institucional për forcimin e kontrollit të brendshëm, rritjen e transparencës dhe avancimin e llogaridhënies” , huhet në komunikatën e MSH-së.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve të menaxhimit financiar dhe administrativ, në funksion të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët dhe përdorimit sa më të përgjegjshëm të fondeve publike.
