Ministria e Ambientit njofton qytetarët për kushtet e dorëzimit të mbeturinave në katër deponi sanitare

0%

Tashmë çdo të shtunë qytetarët mund të fillojnë t’i dorëzojnë mbeturinat në deponitë sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK). Lajmin e ka dhënë Fitore Pacolli, ministrja në detyrë e Mjedisit, e cila e ka konsideruar këtë aksion “një hap historik në mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbeturinave në Kosovë!”.

Sipas Pacollit, kjo mundësi u bë e mundur përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë dhe KMDK-së. “Duke gjetur rrugën e duhur dhe duke realizuar të gjitha investimet e nevojshme teknike dhe administrative, ne po ofrojmë për herë të parë një adresë të saktë, të sigurt dhe të ligjshme ku qytetarët mund t’i dorëzojnë vetë mbeturinat e tyre.

Kjo nismë shënon një hap vendimtar dhe një qasje të re drejt synimit tonë përfundimtar: eliminimit të plotë të deponive ilegale që ndotin ambientin tonë.” – ka shkruar Pacolli në Facebook. Sipas njoftimit të Pacollit, ​pranimi i mbeturinave nga qytetarët do të bëhet nga ora deri në ora , në këto deponi sanitare: Mirash, Landovicë, Veleknicë dhe Dumnicë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Siç tregon Pacolli, tarifa e pranimit të mbeturinave do të jetë 10 euro e 31 centë për ton dhe pagesa kryhet vetëm me kartelë bankare. Sa i përket procesit të dorëzimit të mbeturinave, Pacolli tregon se lejohet hyrja në deponi vetëm me traktorë, kamioneta dhe kamionë. “Për shkaqe sigurie nuk lejohet hyrja e veturave të vogla për shkarkimin e mbeturinave.

Klienti duhet të regjistrohet në hyrje sipas procedurave operative. Ngarkesa kontrollohet nga personeli përgjegjës para pranimit. Rroba të përshtatshme pune. ​Personat pa pajisje mbrojtëse nuk lejohen në zonën operative. ​Duhet të respektohen të gjitha udhëzimet e stafit të deponisë.” – ka thënë Pacolli.

Ministrja ka potencuar se shkarkimi i mbeturinave bëhet vetëm në vendin e përcaktuar nga operatori. “​Klienti mban përgjegjësi për çdo dëm të shkaktuar gjatë qëndrimit në deponi.” – ka shtuar ajo. Kurse, mbeturina e lejuara për deponim janë: Mbeturinat komunale (shtëpiake) dhe mbeturinat e tjera me natyrë ose përbërje të ngjashme me to.

“Mbetjet industriale jo të rrezikshme me karakteristika të ngjashme me mbeturinat komunale. ​Mbetjet e ndërtimit dhe demolimit (fraksioni deri në 30 cm). ​Mbetjet shtëpiake të mobilieve dhe pajisjeve të demoluara (pajisje elektrike shtëpiake etj.). ​Llumrat nga trajtimi i ujërave të zeza, vetëm nëse: ​përmbushin kriteret për deponimin e mbeturinave jo të rrezikshme; ​janë të dehidratuara maksimalisht; përmbajnë jo më pak se 30% materie të thatë.” – ka thënë Pacolli.

Kurse, mbeturinat e ndaluara për deponim janë: ​mbeturinat e rrezikshme, mbeturinat e lëngshme ose të rrjedhshme, mbetjet bërthamore, toksike dhe radioaktive, mbeturinat që përmbajnë azbest, bombolat dhe kontejnerët me gaz nën presion, substancat vetëndezëse dhe lëndët djegëse të kategorisë së parë, materialet eksplozive.

Mbeturina tjera që ndalohen për deponim janë edhe substanca që reagojnë dhunshëm në kontakt me ujin, duke rritur temperaturën ose duke çliruar gazra, mbeturinat infektive spitalore dhe klinike nga institucionet mjekësore dhe veterinare, mbeturinat industriale që rezultojnë nga proceset e trajtimit të substancave të rrezikshme.

Pacolli ka njoftuar po ashtu se ​KMDK rezervon të drejtën të refuzojë pranimin e çdo ngarkese që nuk i plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe procedurat operative të kompanisë. Ndërsa, ka paralajmëruar se tashmë nuk ekziston asnjë arsye apo justifikim për hedhjen e mbeturinave në natyrë apo në vende të papërshtatshme.

“Qytetarët e kanë vendin e caktuar dhe të ligjshëm për t’i depozituar ato. Ju bëjmë me dije se toleranca do të jetë zero: çdo hedhje e mbeturinave jashtë deponive legale do të ndëshkohet pa asnjë kompromis dhe me gjobën maksimale të paraparë me ligj!” – ka theksuar ajo. Pacolli ka thënë se mbrojtja e mjedisit është detyrim i secilit dhe shkelësit nuk do të tolerohen.

Burimi: Kallxo