Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar më 24 qershor se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga jugu i Libanit, edhe nëse një kërkesë e tillë vjen nga Shtetet e Bashkuara. “Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne nuk po tërhiqemi”, tha Katz, duke shtuar se një tërheqje e mundshme do të rrezikonte sigurinë e ushtarëve izraelitë dhe do të hapte rrugë për sulme të reja.
Ai u referua zonave të mëparshme të sigurisë në Liban, ku sipas tij forcat izraelite ishin përballur me sulme dhe shpërthime. Katz tha gjithashtu se rreth 200 mijë banorë të zhvendosur nga luftimet nuk do të mund të kthehen pa garanci të plota sigurie.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Katz kishte bërë deklarata të ashpra ndaj Hezbollahut dhe udhëheqjes libaneze, duke paralajmëruar pasoja të rënda në rast të përshkallëzimit të situatës.
Ai shtoi se Izraeli nuk do të pranojë armëpushim në kushte që rrezikojnë sigurinë e tij dhe se, sipas tij, udhëheqja izraelite ka urdhëruar përgjigje me “forcë dërrmuese” ndaj çdo sulmi apo shkeljeje të sovranitetit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
