Protesta e 25-të radhazi kundër kryeministrit Rama u mbyll sërish para godinës së qeverisë, ku qytetarët u stacionuan dhe përsëritën kërkesën e tyre kryesore për largimin e Ramës. Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër akset kryesore të kryeqytetit.
Pavarësisht reshjeve të shiut që shoqëruan pjesërisht tubimin, qytetarët vijuan protestën pa u tërhequr deri në përfundim të saj. Marshimi kaloi nga zona e Kryeministrisë drejt qendrës së qytetit, pranë 9-Katësheve, Bankës së Shqipërisë dhe Shallvareve, për t’u rikthyer më pas në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë gjithë itinerarit, qytetarët brohoritën në kor thirrjen “Rama jep dorëheqjen”, e cila është kthyer në sloganin kryesor të protestës që prej nisjes së saj. Në tubim u dëgjuan gjithashtu edhe thirrje të tjera kundër qeverisë dhe klasës politike, përfshirë “Rama, Rama, f*ck you”, një referencë ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama në një intervistë për Financial Times.
Protestuesit kërkuan gjithashtu hetimin dhe arrestimin e figurave politike, me thirrje si “Arresto Ballukun” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”. Në përfundim të protestës, qytetarët deklaruan se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se kërkesa për largimin e qeverisë mbetet e panegociueshme.
