Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Madonna ka zbuluar se filmi biografik për jetën e saj u anulua pas mosmarrëveshjeve me studion Universal Pictures lidhur me buxhetin e projektit. Në një intervistë për revistën Interview , ylli i muzikës pop ka thënë se historia e jetës së saj kërkonte një prodhim të madh.
“Patëm një përplasje me studion ‘Universal’ për buxhetin, sepse më duhej një buxhet i madh. Kam pasur një jetë të jashtëzakonshme, një jetë shumë të madhe, prandaj më duhej një buxhet i madh”, u shpreh Madonna. Ajo ka treguar se kishte propozuar që xhirimet të zhvendoseshin në Serbi për të ulur kostot, por studioja nuk e mbështeti idenë.
“Gjeta një mënyrë për ta realizuar filmin me më pak para në Serbi, por nuk mendoj se u pëlqeu ideja. Ndoshta thjesht nuk besonin tek unë. Një nga reagimet e tyre të para ishte: ‘Nuk besojmë se do të qëndroje në Serbi më shumë se katër ditë’”, ka thënë këngëtarja.
Julia Garner, aktorja që u intervistua të luaj rolin e Madonnas Ndërsa ylli ka thënë se iu përgjigj me pyetjen: “A e lexuat skenarin? E gjithë jeta ime ka qenë një betejë për mbijetesë. Nuk po shkoja atje për pushime”. Projekti u njoftua për herë të parë në vitin 2020 dhe Madonna planifikonte ta drejtonte vetë filmin.
Rolin kryesor do ta luante aktorja Julia Garner, e përzgjedhur pas një procesi të gjatë audicionesh që në Hollywood u quajt “Madonna Bootcamp”. Megjithatë, në vitin 2023 u raportua se filmi, i cili mbante titullin e përkohshëm “ Who’s That Girl” , ishte anuluar.
Madonna ka zbuluar gjithashtu se kishte tentuar ta shndërronte historinë e saj në një serial për Netflix , por hasi në pengesa ligjore pasi “Universal” zotëronte të drejtat e skenarit që ajo kishte shkruar. “Netflix më kontaktoi për të realizuar një serial.
Por nuk mund ta përdorja skenarin që kisha me ‘Universalin’, përveçse nëse e blija prej tyre me një çmim të tepruar, edhe pse unë vetë e kisha shkruar”, ka thënë ajo. Artistja ka shtuar se procesi i zhvillimit të një seriali rezultoi shumë më kompleks sesa kishte menduar, pasi kërkonte bashkëpunim me skenaristë të shumtë dhe gjetjen e drejtuesit të duhur krijues për projektin.
“Është një proces krejtësisht ndryshe. Duhet të takosh shumë skenaristë dhe të gjesh personin e duhur për ta udhëhequr projektin, dhe unë nuk arrita ta gjeja”, ka përfunduar Madonna.
