Kryetari i Partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), që përfaqëson komunitetin egjiptian në Kosovë, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se grupi multietnik i deputetëve është i interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet e reja të Kosovës në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve.
Në një konferencë për media, ai tha se grupi multietnik, i përbërë nga tetë apo nëntë deputetë, mund të sigurojë një numër të mjaftueshëm për formimin e Qeverisë së re. “Grupi multietnik prej 8 apo 9 deputetëve është i interesuar që sa më parë të formohen institucionet me fituesin e zgjedhjeve.
Kjo garanton një numër të mjaftueshëm për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës”- deklaroi Krasniqi. Ai theksoi se zgjedhjet e 7 qershorit kanë prodhuar një rezultat të ngjashëm me zgjedhjet e kaluara dhe se qytetarët presin formimin sa më të shpejtë të institucioneve. “Zgjedhjet i mbajtëm, ato prodhuan një rezultat pothuajse të njëjtë me ato të kaluarat.
Qytetarët presin sa më parë institucione, Qeveri dhe Kuvend funksional dhe ta kalojmë krizën e zgjedhjes së presidentit. Qytetarët kanë folur dhe partitë politike tash duhet të reflektojnë edhe në raport me fjalën e qytetarit” – tha ai.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, skena politike në Kosovë është në pritje të certifikimit të rezultateve, proces që do të hapë rrugën për formimin e institucioneve të vendit.
Në bazë të rezultateve preliminare, 53 deputetë do t’i ketë Lëvizja Vetëvendosje, 22 Partia Demokratike e Kosovës, 18 Lidhja Demokratike e Kosovës, 7 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 9 Lista Serbe, 1 Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, 2 Partia Demokratike Turke e Kosovës, 1 Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, 1 PSA, 1 Koalicioni Vakat, 1 Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, 1 Partia Liberale Egjeptiane, 1 Partia e Re Demokratike, 1 Unioni Socialdemokrat dhe 1 Partia e Bashkuar e Goranëve.
Paraprakisht, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së Qeverisë, ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit do të nisin hapat për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Në mbledhjen e parë të mbajtur fizikisht pas zgjedhjeve, Kurti tha se Kosova nuk kishte nevojë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, por theksoi se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe të përkthehet në institucione funksionale. “Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe rezultati e dëshmoi këtë. Sidoqoftë, qytetarët folën sërish qartë.
Rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti duhet të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike, të angazhuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, siguri e mbrojtje, dhe investime të mëdha në infrastrukturë – nga hekurudhat deri te digat e jo vetëm”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se pas përfundimit të procesit të certifikimit të zgjedhjeve do të fillojnë komunikimet dhe përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja. Në fjalimin e tij, konstituimin e Kuvendit e përmendi si hap të parë duke e lënë çështjen e presidentit të fundit.
“Po sa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e Legjislaturës XI, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”- tha Kurti.
Nga njohës të Kushtetutës është thënë se zgjedhja e presidentit duhet të jetë hapi i dytë, pas konstituimit të Kuvendit, nisur nga fakti se vendi ka shkuar në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit. Mirëpo në Kushtetutë dhe në Rregullore të Punës së Kuvendit nuk përcaktohet renditja.
