Zëvendësministri dhe zyrtari i Lëvizja Vetëvendosje, Hysni Mehani, ka reaguar publikisht 42 ditë pas sulmit fizik ndaj tij, duke thënë se ende nuk është informuar se cili prokuror apo prokurore po merret me rastin.
Në një postim në Facebook, Mehani deklaroi se përveç deklaratës së dhënë në polici dhe dorëzimit të raportit mjekësor, nuk ka marrë asnjë informacion shtesë nga organet e drejtësisë. Ai përsëriti akuzën se iniciues i sulmit ishte Sami Lushtaku dhe pretendoi se një nga sulmuesit kishte qenë më parë i dënuar për vrasje.
Mehani kritikoi institucionet për mungesë veprimi, duke theksuar se pret të mësojë se kush po e heton çështjen, ndërsa shtoi se nuk do të tërhiqet nga angazhimi i tij për drejtësi dhe barazi. Shkrimi i plotë në Facebook: Të dashur miq, Sot bëhen 42 ditë nga dita që jam sulmuar. As tash kur po e shkruaj këtë postim nuk e di kush është prokuror a prokurore e rastit!
Përveç ditës kur ka ndodhur rasti që kam dhënë një deklaratë te disa policë dhe një thirrje telefonike pas disa ditëve për të dorëzuar raportin e mjekut dhe atë nëse dua; asgjë tjetër! As tash kur po e shkruaj këtë postim, nuk e di kush janë personat që më kanë sulmuar.
E di që njëri nga ta dhe iniciusi i sulmit ishte Sami Lushtaku dhe më vonë kam kuptuar që njëri nga sulmusit tjerë më herët paska qenë i dënuar për vrasje.
Imagjinojeni, një ish i dënuar për vrasje del dhe e sulmon një qytetar, kryen tentim-vrasjen e një qytetari që qëllon të jetë zv-ministër, e sulmon në pikë të ditës dhe atë pa asnjë arsye, dhe prokurori a prokurorja e rastit e liron në procedurë të rregullt dhe deri më sot nuk di për ndonjë masë të marrë.
Të dashur miq, kam qenë i bombarduar me mendime nga më të ndryshmet; veç një përgjigje e kam për të gjitha ato mendime! Çdo pikë gjaku, djerse e mundi e derdhur për drejtësi, për liri e për mundësi të barabartë për të gjithë nuk është turp e as nuk duhet të na turpërojë, përkundrazi duhet të na shtojë krenarinë.
Turp është të jetosh si puthadorë, si servil e i nënshtruar nga ata që për shoqërues zgjedhin vrasës. Atë që më njohin e dinë që unë kurrë nuk kam zgjedhur rrugët e lehta, ashtu siç kurrë nuk kam pasur frikë nga rrugët e vështira, qoftë edhe me koston e jetës, kosto që e kam pasur parasysh shumë kohë para se të ndodhte sulmi. Prokuror a prokurore, kjo është çështja që po pres ta di!
