Thirrjeve për largim Rama u përgjigjet me sulme, sharje e etiketime të protestuesve

0%

Shpërndaje në: Pas shpalosjes së pesë kushteve nga ana e protestuesve për ndalje të revoltës në Tiranë, e që kryesorja është largimi i Edi Ramës, kryeministri i Shqipërisë, ka bërë disa postime. Ai ka sulmuar e etiketuar protestuesit, e sidomos personin që ka lexuar deklaratën – Dritan Goxhajn. Atë e ka quajtur “militant pro-iranian” dhe “dezertor të luftës së UÇK-së”.

E në një intervistë për “Financial Times”, Rama edhe ka përdorur fjalor vulgar ndaj protestuesve Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhduar luftën e tij në rrjetet sociale me të gjithë ata që po protestojnë kundër tij dhe qeverisë që udhëheq.

Të martën një ditë, pasi në protestën e 23-të me radhë protestuesit kanë shpalosur pesë kërkesa për Ramën, shefi i ekzekutivit në Tiranë, ka nxjerr disa postime kundër protestuesve që çdo natë po mbushin sheshet e kryeqendrës së Shqipërisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në postimin e parë, Rama ka nxjerrë një foto të një protestuesi të vetëm, që ka kaluar natën para Kryeministrisë dhe në përshkrim ka përdorur ironi për të dhe të tjerët që po protestojnë. “Nuk të shoh si humbësin e një proteste, por si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij. Ti i je bashkuar vorbullës thithëse të turmës, sepse beson sinqerisht se po mbron diçka të çmuar.

Ndoshta ti ke frikë se vendi po shkon drejt humnerës. Kapitalistët e huaj do të gllabërojnë natyrën. Zogjtë e rrallë të Shqipërisë do të vdesin. Atdheu yt ka dalë në shitje”, ka shkruar Rama. Rama ka thënë se nuk është armiku i popullit siç po paraqitet në shesh, teksa e ka ftuar “protestuesin e vetmuar” për bisedime. “Eja tek unë. Jo të më duartrokasësh.

Jo të heqësh dorë nga kritikat e tua. As të më votosh nëse nuk do të të mbushet mendja, se jo thjesht nuk jam unë e keqja e madhe që ata të kanë mbushur mendjen se jam, po unë sot jam e vetmja pengesë mes këtij vendi e teje dhe të këqijave të mëdha, që ata mund t’i bëjnë Shqipërisë po t’u hapet rruga.

Eja pra tek unë, qoftë edhe vetëm për të mos lënë askënd ta përdorë hallin tënd kundër Shqipërisë dhe as të përdorë hallet e Shqipërisë kundër teje. Eja, sepse Shqipëria nuk bëhet as me ata që brohorasin verbërisht, as me ata që zemërohen verbërisht.

Shqipëria po bëhet nga çdo shqiptar e shqiptare, që në vend se të mallkojë errësirën ndez përditë qiriun e kontributit të vet, duke shtuar në çdo hap dritën e Shqipërisë Europiane dhe duke pakësuar errësirën e trashëguar nga kohërat e vjetra e më të reja”, ka shkruar ai. Postimin e ka mbyllur me frazën “Unë jam miku, jo armiku yt”.

E në postimin e gjatë të Ramës, kanë reaguar protestuesit, foton e të cilit e ka publikuar kryeministri. Qytetari i identifikuar si Erlis Sina, ka thënë se është pikërisht Rama autori i halleve të tij, për çka e ka shtyrë të protestojë. “Unë nuk jam ti! Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde. Unë nuk jam ti. Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.

Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve. Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi. Ti je. Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt. Ti nuk je viktima e halleve të mia. Ti je autori i tyre”, ka shkruar qytetari Sina.

Ai e ka bërë përgjegjës Ramën për emigrimin e shqiptarëve dhe padrejtësitë që sipas tij, po i shtyjnë ata të largohen nga vendi. “Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes. Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë: Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës. Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.

Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit. Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë. Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi. Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat. Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita. Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë. Sepse paguajnë faturat”, ka shkruar Sina.

Postimin e ka mbyllur me përgjigjen se pse është duke protestuar çdo natë. “Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu”, ka shkruar Sina. Pesë kushtet e protesuesve Rama është hedhur në sulm edhe të hënën mbrëma, pak pasi protestuesit shpalosën pesë kushtet për ndërprerje të protestave. Mes tyre, kryesori është largimi i Edi Ramës nga qeverisja. “1.

Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë. 2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor. 3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: 4.

Paralelisht, kërkojmë: Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për ‘Zonat e Mbrojtura’; Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për ‘Trashëgiminë kulturore’; Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”; Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për ‘Investimet Strategjike’ dhe 5.

Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës:, janë pesë kërkesat e protestusve. Ato i ka lexuar protestuesi Dritan Goxhaj, ish-ushtar i UÇK-së.

Rama në postimin e tij për kushtet, më shumë është marrë me lexuesin e tyre, Goxhajn, duke e quajtur militant iranian dhe anti-amerikan e po ashtu edhe dezertor të luftës në Kosovë. Ai ka postuar edhe një letër, ku flitet për largimin e Goxhajt nga lufta, por KOHA, nuk ka arritur ta verifikojë.

“Ej, trima, jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së.

Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet”, ka shkruar Rama në përshkrimin e letrës ku flitet sipas tij, për dezertimin nga lufta të Goxhajt.

E në një postim tjetër, e ka lidhur Goxhajn me Iranin, shtet që Rama e ka akuzuar se qëndron pas protestave në Tiranë. “Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit “intelektual” të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë….?

Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat false të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, ka shkruar tutje Rama.

E për kërkesat e protestuesve, Rama ka thënë se në fund do të dalin fitimtare Qeveria dhe Partia Socialiste. Goxhaj, i kontaktuar nga KOHA, ka thënë se nuk merret me Ramën e as me siç ka thënë “problemet psikike të tij”. Rama: Nuk jam kumbarë i projektit në Zvërnec Gjatë së martës, mediumi prestigjioz “Financial Times” ka publikuar një intervistë me Ramën.

Në të, ai ka thënë se nuk është kumbarë i projektit në Zvërnec e po ashtu ka përdorur fjalor vulgar ndaj protestuesve. “Njerëzit thonë se jam udhëheqës i tërë kësaj gjëje. Unë i them F*** Y**. Kaq e thjeshtë është. S’më takon mua që ta vërtetojë se s’jam kumbari, u takon atyre ta vërtetojnë që jam kumbari”, ka thënë Rama.

Në protesta, qytetarët vazhdimisht e përdorin parullën “Rama n’burg, Berisha n’burg”. E Sali Berisha, i cili e drejton subjektin kryesor politik në opozitë, Partisë Demokratike, ka thënë se sharja nga Rama paraqet urrejtje ndaj shqiptarëve. Ai e ka krahasuar kryeministrin me kapot e drogës. “Ky ka dëshmuar urrejtjen e pakufishme që ka ndaj qytetarëve shqiptarë.

Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën e pranishme. Edi Rama nuk sillet si padrino, shumë më keq se padrino i Shqipërisë”, ka thënë Berisha. Protesta ka nisur fillimisht si reagim për investimet e parapara në Zvërnec nga kompani të lidhura për vajzën dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Ajo është mbajtur për herë të 24-të të martën mbrëma.

Gjatë gjithë kohës, në protestë është bërë thirrje: “Rama n’burg, (Sali) Berisha n’burg”, duke lënë të kuptohet se qytetarët nuk duan asnjërin prej liderëve që dominuan 35 vjetët e demokracisë në Shqipëri. Së fundi, Rama ka drejtuar gishtin edhe mbi Vetëvendosjen se është përfshirë në protesta, e më herët edhe mbi Greqinë, Serbinë dhe Iranin.

Protestat janë emërtuar edhe si “Revolucioni Flamingo”, për shkak të këtij lloji të shpendëve që në Shqipëri habitat kanë ishullin e Zvërnecit. OVL e UÇK-së bën thirrje për “moskeqpërdorim të simboleve të luftës për qëllime politike” Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë thirrje që në protestat në Tiranë të mos përdoren simbolet e UÇK-së.

Në një reagim të publikuar nga kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, të martën, është thënë se po bëhet përpjekje e vazhdueshme për manipulim politik e instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestat në Tiranë.

“Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare.

OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake.

OVL e UÇK-së u bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së.

UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”, ka shkruar Gucati në Facebook.

Burimi: Koha