Shpërndaje në: Gazetarja dhe ekspertja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e cila është në krye të shtetit që gjashtë vjet, ka bërë gabimet për të cilat i ka kritikuar partitë e tjera të cilat kanë udhëhequr me shëndetësinë.
Ramaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se partia në pushtet vetëm ka “harrnuar” me këtë sektor pavarësisht rëndësisë që ka. “Harrnim. Tepër veprime të vogla të cilat do të konsideroheshin të organizuara dhe sistemike. Nuk është që e kam përcjellë vetëm këtë qeveri, e kam përcjellë shëndetësinë për 12 vjet.
Pritjet për LVV-në kanë qenë edhe për shkak të prirje ideologjike ku dihet se arsimi dhe shëndetësia janë bazamentet kryesore të të qenurit socialdemokrat. Fatkeqësisht nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Të gjitha kritikat që Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë për partitë e tjera, i ka bërë edhe vetë”, ka thënë Ramaj.
Ramaj ka akuzuar se edhe sektorin farmaceutik në Kosovë si vështirë të hetueshëm pasi siç tha – mban lidhje të mira me të gjitha institucionet, përfshirë dhe hetuesinë. “Mbase shëndetësia nuk është sektori me më së shumti para në Kosovë. Mirëpo një nga sektorët më të fuqishëm në Kosovë e më kaotiku është ai farmaceutik.
Kompanitë farmaceutike besoj se siç kanë qenë edhe ma herët me lidhje të mira me të gjitha institucionet publike qeveritare nën ombrellën e qeverisë që janë, kanë raporte të mira edhe me hetuesinë”, ka thënë Ramaj.
Ramaj edhe para disa muajsh e ka ngritur çështjen e kompanive farmaceutike për të cilat ka deklaruar se vetëm janë forcuar në vitet e fundit e madje tenderët janë përqendruar në pak kompani. Sipas saj, s’ka prova në duar për keqpërdorime “por kjo duhet të gjykohet me standardin e partisë në pushtet para disa vitesh”.
