Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në edicionin e tetë të Festivalit Multikulturor “Të festojmë ngjashmëritë tona”. Sipas tij, ky festival përcjell një ngjarje të konsoliduar me platformë të dialogut ndërkulturor, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë në Republikën e Kosovës.
Për Kurtin, festivali “Të festojmë ngjashmëritë tona” ka edhe një domethënie të veçantë personale. Ai kujton se ishte i pranishëm në edicionin e parë të këtij festivali, para tetë vitesh. Nga një aktivitet njëditor, siç e quan ai, është bërë një hapësirë ku takohen kultura, komunitete, breza, profesione dhe forma të ndryshme të krijimtarisë.
“Atëherë festivali organizohej vetëm për një ditë. Ishte një iniciativë me vizion të madh, por me përmasa të vogla. Sot, pas tetë vitesh, e shohim se ai vizion është rritur, është zgjeruar dhe është shndërruar në një traditë të rëndësishme për vendin tonë” – ka thënë Kurti.
Kreu i LVV-së vlerëson se Qeveria në detyrë e Kosovës vazhdon të ndjekë një qasje të qëndrueshme për avancimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes së komuniteteve. Sipas tij, në fushën e arsimit, janë ndarë rreth 2 mijë bursa në vlerë prej 625 mijë eurosh për nxënësit romë, ashkalinj dhe egjiptianë në shkollat e mesme, ku shumica e përfituesve kanë qenë vajza.
“Nga viti 2022 në vitin 2023 është shënuar një rritje prej 31 për qind në numrin e vendeve të punës të siguruara për pjesëtarët e këtyre komuniteteve përmes Agjencisë së Punësimit”- tha Kurti mes tjerash.
Duke theksuar se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës, kryeminstri në detyrë tha ata se janë kontribues aktivë në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.
