Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), İbrahim Hacıosmanoglu, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe fyerjeve të drejtuara ndaj ekipit kombëtar në rrjetet sociale pas eliminimit të parakohshëm nga Kupa e Botës.
Në një konferencë për shtyp në kampin e përfaqësueses para ndeshjes së fundit në Grupin D, Hacıosmanoglu doli në mbrojtje të trajnerit Vincenzo Montella dhe futbollistëve, ndërsa i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të hartojë legjislacion kundër fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes në internet. “Po i drejtohem Ministrit tonë të Drejtësisë. Le të shikojë shembujt në botë.
Në cilin vend ekziston një turp i tillë? Besoj se është urgjentisht e nevojshme të miratohen ligje për të parandaluar rënien morale të shoqërisë dhe për të ndihmuar zhvillimin e futbollit”, deklaroi ai. Kreu i TFF-së theksoi se kritikat ndaj ekipit kombëtar kanë kaluar kufijtë normalë dhe janë shndërruar në sulme personale. “Ata filluan që nga ndeshja e parë.
Të thuash se ka kaos në ekip apo se kapiteni po e mbledh skuadrën, kjo nuk është më koment, por mungesë respekti. Po u drejtohemi atyre që kalojnë kufijtë e moralit dhe përpiqen të krijojnë përçarje në ekip”, tha Hacıosmanoglu. Ai konfirmoi gjithashtu se trajneri Vincenzo Montella gëzon mbështetjen e plotë të federatës dhe mohoi zërat për largimin e italianit.
“Ne do të mbrojmë si trajnerin, ashtu edhe lojtarët. Ata që e njohin karakterin tim e dinë se nuk i braktisim njerëzit me të cilët kemi nisur rrugëtimin. Nëse ky staf ka arritur suksese me këta djem, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim”, u shpreh presidenti i federatës. I pyetur nëse ishte diskutuar dorëheqja e Montellës, Hacıosmanoglu u përgjigj prerazi.
“Nuk i dhashë fare mundësinë ta bënte këtë. Nuk kemi pasur një bisedë të tillë dhe as që ka nevojë për të”. Presidenti i TFF-së mori mbi vete përgjegjësinë për dështimin në Botëror, por theksoi se ekipi nuk meriton sulmet që ka marrë. “Nuk do t’ia dalim pa u ndëshkuar. Si president dhe si bord drejtues, ne e marrim përgjegjësinë.
Pranoj çdo kritikë të arsyeshme, por jo ato që kalojnë kufijtë e moralit”, deklaroi ai. Në fund, Hacıosmanoglu kujtoi se fati sportiv mund të kishte ndryshuar gjithçka. “Nëse gjuajtja e Merihit në fund do të kishte hyrë në portë dhe jo të godiste shtyllën, sot do të flisnim për diçka krejt tjetër. Në dy ndeshjet e fundit kemi bërë 65 gjuajtje. A luajtëm keq?”, përfundoi ai.
