Seminari i 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Seminari) do t’i nisë punimet më në Prishtinë, duke sjellë për dy javë një program të gjerë shkencor e kulturor me pjesëmarrje të studiuesve, studentëve nga vende të ndryshme të botës.
Programi i Seminarit të sivejtmë do të përfshijë kurse intensive të mësimit të shqipes, ligjërata nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë shqiptare e fusha tjera të albanologjisë. Edhe këtë edicion do të ketë edhe tryeza e referime shkencore, ligjërata të përgjithshme, si dhe aktivitete kulturore e vizita në Kosovë.
Drejtoresha e Seminarit, Lindita Sejdiu, në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se përgatitjet për edicionin e 44-të janë bërë duke synuar që temat e trajtuara të pasqyrojnë zhvillimet më të reja në fushën e albanologjisë dhe ndryshimet që ka pësuar shqipja dhe kultura shqiptare në dekadat e fundit.
Sejdiu ka thënë se edicioni i 44-të i Seminarit do të ketë rreth 140 aktivitete me pjesëmarrjen e një numër të madhe studiuesish studentëve nga Italia, Polonia, Austria, Turqia e vende të tjera. Sesionet, shqipja e shekullit të 21-të dhe raporti i letërsi me lexuesin Gjatë Seminarit të 44-të të shqipes do të mbahen dy sesion shkencor.
Sesioni i gjuhësisë me temë bosht, “Studimet gramatikore, transformimet gjuhësore dhe zhvillimet socio kulturore të shqipes në shek. XXI” dhe ai letërsisë i cili këtë vit ka dy tema bosht, “Letërsia shqipe dhe lexuesi” dhe “Atdheu fizik, metafizik dhe sureal në letërsinë shqipe”.
Drejtoresha Sejdiu ka thënë se temat bosh e sesionit të gjuhësisë është përcaktuar në mënyrë që të përfshijë disa prej zhvillimeve kryesore që kanë ndodhur në shqipen gjatë shekullit XXI. Në fokus do të jenë transformimet gramatikore, zhvillimet sociokulturore, ndryshimet në përdorimin e shqipes pas vitit 2000, si dhe mënyrat e reja të studimit të gjuhës.
“Qëllimi është që të pasqyrohen sa më shumë ndryshimet e kohëve të fundit, metodat e reja të studimit të gjuhësisë dhe, aty ku është e nevojshme, edhe krahasimi me metodat tradicionale” – ka thënë Sejdiu. Sipas saj, përmes këtij konceptimi synohet që në Seminar të paraqiten studimet dhe hulumtimet më të reja në të gjitha nëndegët e studimit të shqipes.
Ndërsa, sa i përket Sesioni të letërsisë, Sejdiu ka thënë se temat e caktuara pritet të ofrojnë hapësirë për diskutime mbi raportin ndërmjet veprës letrare dhe lexuesit, mënyrën se si është ndryshuar leximi i letërsisë shqipe ndër vite, por edhe mënyrën se si koncepti i atdheut është trajtuar në letërsinë shqiptare.
Drejtoresha Sejdiu ka thënë se këtë gjatë Seminarit të sivjetmë është planifikuar të mbahet një tryezë për ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, si kritike dhe studiues i letërsisë, në 20-vjetorin e vdekjes dhe një tryezë tjetër për simbolin e Seminarit, Hyjneshën në Fron.
Lea Ypi dhe shqiptarët e Mandricës, të veçantat e Seminarit Por, e veçantë e këtij Seminari, sipas Sejdiut, është pjesëmarrja e shkrimtares dhe studiuese së filozofisë, Lea Ypit dhe shqiptarëve të Mandricës së Bullgarisë.
“Ypi do të mbajë një ligjëratë ku do të trajtojë dy romanet e saj, të shkruara në gjuhën angleze dhe në shqip”- ka thënë Sejdiu, duke shtuar se pjesëmarrja e saj në Seminar pritet të jetë një prej momenteve të veçanta të këtij edicioni, veçanërisht për shkak të interesimit që veprat dhe aktiviteti i saj kanë zgjuar te lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë në Kosovë.
Ndërsa, pjesëmarrja e për herë të parë në Prishtinë shqipfolësit, siç tha ajo të fundit të Mandricë nga Bullgari, ka një rëndësi të madhe për Seminarin. Ajo tha se gjatë një ekspedite studimore të zhvilluar në këtë fshat, studiuesit kanë vërejtur se shqipja atje është në rrezik serioz të zhdukjes. Mandrica është një fshat malor në Bullgari, në afërsi të kufirit me Greqinë dhe Turqinë.
Atje kanë mbetur vetëm disa persona të moshuar që vazhdojnë të flasin shqip. “Për shkak të migrimit të brezave të rinj drejt qyteteve të mëdha dhe integrimit të tyre në shoqërinë bullgare, përdorimi i shqipes është zvogëluar ndjeshëm dhe sot ajo ruhet kryesisht nga persona të moshës 70-80 vjeç.
Pikërisht për këtë arsye, organizatorët e konsiderojnë të jashtëzakonshme mundësinë që disa prej folësve të fundit të kësaj të folmeje të jenë të pranishëm në Prishtinë” – tha ajo.
Sediu ka thënë se gjatë seminarit do të prezantohet një numër më i lartë i ligjëratave, ndërsa pritet të marrin pjesë edhe emra të njohur ta albanologjisë si: Francesco Altimari, Monica Genesin, Dina Bushiq, Robert Pichler, Nathalie Clayer, Rrahma Pacarizi, Kujtim Shala, etj.
Përveç aspektit shkencor, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen nga afër me Kosovën përmes programit kulturor dhe vizitave të parapara në kuadër të Seminarit. Programi, sipas drejtoreshës Sejdiu, përfshin vizita në vende të ndryshme të Kosovës, ndërsa një prej aktiviteteve do të zhvillohet në Prizren.
“Pjesëmarrësit do të kenë gjithashtu mundësi të vizitojnë ‘Reporting House’, ku mund të njihen më nga afër me zhvillimet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve ’90-ta” – tha ajo. Ajo e konsideron këtë Seminarin një lloj “ambasadori” të shqiptarëve dhe të Kosovës në botë. “Seminari është një ambasador i shqiptarëve, por edhe i Kosovës në botë”, ka thënë Sejdiu.
Mbi pesë dekada histori Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 , në Fakultetin e Filologjisë, atëkohë Fakulteti Filozofik, të Universitetit të Prishtinës.
Që nga themelimi, ai është konceptuar si një hapësirë për studentë dhe studiues që merren me problemet e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë në përgjithësi. Veprimtaria e Seminarit u ndërpre në vitin 1991 nga organet serbe.
Në vitet 1995 dhe 1996, sesionet e Seminarit u mbajtën në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000, Seminari u rikthye në Prishtinë. Sesionet e 19-ta dhe 20-ta, të mbajtura në vitet 2000 dhe 2001, u organizuan në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Aktiviteti i Seminarit u ndërpre edhe në vitin 2020, për shkak të pandemisë COVID-19. Megjithatë, ai vazhdoi veprimtarinë dhe tashmë ka arritur në edicionin e 44-t. Lindita Sejdiu është profesoreshë e gjuhës angleze dhe në programin doktoral në Departamentin e Gjuhës angleze në Fakultetin Filologjik të Universitetit Publik ‘Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Është autore e një sërë punimesh dhe teksteve që kanë të bëjnë me studimet kontrastive anglisht -shqip si dhe me studimet gjuhësore të gramatikës së shqipes në veçanti. Nga , Lindita Sejdiu është zgjedhur drejtoreshë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare për një mandat dy vjeçar.
