Shpërndaje në: Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka thënë se Serbia duke e lënë të lirë dhe duke e mbrojtur përgjegjësin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, po i shkelë vlerat e Këshillit të Evropës.
Gola ka deklaruar se kjo tregon edhe që Serbia nuk është e gatshme për të ndërtuar raporte normale me shtetin e Kosovës.
“E para Serbia ende nuk e ka dëshmuar gatishmërinë për të ndërtuar raporte normale, veçanërisht me Kosovën dhe e dyta, në vend që të sigurojë llogaridhënie, ajo vazhdon t’i mbrojë ata që janë përgjegjës, që dëshmohet prej faktit se Radoiçiqi vazhdon të jetojë i lirë dhe i mbrojtur në Serbi.
Në këtë mënyrë, Serbia është bërë shkelëse e vetë vlerave të cilat Këshilli i Evropës është themeluar për t’i mbrojtur”, ka deklaruar Gola. Gola është shprehur gjithashtu se Serbia nuk mund të ndihmohet në demokratizim me gjuhe neutrale e duke zbutur faktet shqetësuese.
“Testi i vërtetë i një shteti nuk është se si i përqafon të vërtetat për të cilat është rehat, por se si i trajton ato për të cilat i japin parehati”, është shprehur Gola. Ndërkohë, anëtarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alicia Kearns, ka thënë se Serbia trajton komshinjët përreth njësoj si Rusia dhe mbron kriminelët.
“Mënyra se si një Qeveri i trajton komshinjtë të tregon se si i trajton të vetët. E shohim me Rusinë e Putinit, luftë jashtë e heshtje brenda.
Po e shohim të njëjtën formë në Serbi – me mbështetjen e burrave që e ndajnë Bosnjën, me strehimin e burrave që janë prapa sulmit të Banjskës – jo por me armatosjen e sulmuesve, shikojini numrat serikë të armëve, me shtypjen e protestuesve të rinj, me fshirjen e shtypit të lirë, për një shtet me talentin që e ka Serbia, kjo është tragjedi por jo edhe fati i tij”, ka deklaruar Kearns.
