Një situatë e tensionuar u regjistrua mëngjesin e së hënës para Bashkisë së Durrësit, ku disa përfaqësuese të familjeve të komunitetit rom në Nishtullë protestuan për moskalimin e bonusit të strehimit, të cilin, sipas tyre, nuk e kanë përfituar prej 9 muajsh.
Pas tensioneve të krijuara para godinës së bashkisë, një përfaqësi e banorëve u prit nga autoritetet përgjegjëse për të diskutuar shqetësimet e tyre. Sipas banorëve, vonesat në pagesën e bonusit dhe premtimet e pambajtura për afatet e kalimit të fondeve i kanë vënë në vështirësi serioze përballë qiradhënësve, duke rrezikuar të mbeten pa strehim.
Lista me rreth 90 përfitues pritet të marrë firmën e kryetares së Bashkisë së Durrësit, çka do t’i hapë rrugë kalimit të fondeve në llogaritë e banorëve. Sipas përfaqësuesit të shoqatës “Ushten”, Ismail Jakupi, dy kanë qenë arsyet kryesore të vonesave: verifikimi i dokumentacionit dhe mosdisbursimi i fondeve nga Ministria e Financave.
Në listën e përfituesve të bonusit të strehimit, që mbulon 50% të qirasë nga bashkia, përfshihen rreth 250 persona nga komunitetet rom dhe egjiptian. Në total, lista e përfituesve përmban 412 persona. Sipas Bashkisë së Durrësit, në ditët në vijim do të kryhen pagesat edhe për familjet e tjera përfituese.
