Shpërndaje në: Jeremy Doku e ka bërë të qartë – familja është e para. Sulmuesi anësor i Manchester Cityt pritet të bëhet baba muajin tjetër dhe tha se dëshiron të largohet nga kampi i Belgjikës që të jetë i pranishëm gjatë lindjes, edhe nëse Belgjika është ende në Kupë të Botës.
Prezantuesja e “L’Equipe”, France Pierron, e kritikoi atë duke thënë se babai është “krejtësisht i padobishëm” në kohën e lindjes së fëmijëve, të cilin ajo e quajti “moment të neveritshëm”. Në një deklaratë, “L’Equipe” kërkoi falje dhe tha se komentet e Pierron ishim shumë larg nga vlerat e mediumit. Prezantuesja gjithashtu kërkoi falje. Reagimet në futboll ishin të shumta.
Lojtarët si “gladiatorë në Kolose” Doku luajti 86 minuta në barazimin 1:1 të Belgjikës me Egjiptin. Por mungoi për shkak të një sëmundje në barazimin pa gola me Iranin, të dielën. Gruaja e tij, Shireen, pritet të lindë gjatë javës së dytë të korrikut. Kjo mund të nënkuptojë që burri i saj do të humbë çerekfinalen, nëse Belgjika avancon në këtë fazë.
“Nëse më pyesni se çka dua, përgjigjja është se askush nuk dëshiron të humbë lindjen e fëmijës së tij të parë”, tha Doku, 24-vjeçar. “Por unë e di po ashtu që futbolli përfshin shumë gjëra të tjera që duhet konsideruar. E di që federata i mbështet lojtarët e saj dhe i kupton situatat e tyre. Do të shohim çka mund të bëjmë”.
Sulmuesi i Anglisë, Ollie Watkins, që ka dy fëmijë, mbështeti Dokun. “Mendoj se dikush e quajti të neveritshme dhe mendoj se kjo nuk është mënyra e duhur për të përshkruar një lindje. Kam parë se çka u desh të kalonte gruaja ime. Ndodh vetëm një herë të presësh fëmijën tënd të parë dhe është bekim. Ka shumë raste kur je larg familjes dhe miqve gjatë edicionit dhe është shumë e vështirë.
Kështu që të humbësh këtë do të ishte e vështirë. E kuptoj atë”, ka theksuar Watkins. Asociacioni i Futbollistëve Profesionistë tha se kërkesat ndaj lojtarëve nuk duhet të jenë në kurriz të “momenteve kryesore familjare”.
“Situatat dallojnë, por besojmë se lojtarët duhet të mbështeten në balancimin e përgjegjësive të tyre profesionale me ngjarjet e rëndësishme të jetës”, tha një zëdhënës i asociacionit. “Mbështetja e lojtarëve si njerëz, jo vetëm si sportistë, është pjesë e rëndësishme e krijimit të një mjedisi të shëndetshëm profesional pune”.
Instituti i Atësisë, që mbështet burrat si baballarë dhe kujdestarë aktivë, gjithashtu mbështeti Dokun. “Më bën të mendoj për gladiatorët në Kolose”, tha zëvendës-drejtori ekzekutiv, Jeremy Davies për “BBC Sport”. Ai ka shtuar se futbollistët paguhen shumë, por se ka disa gjëra që vlejnë më tepër.
Rregulloret dhe precedentët Rregulloret e FIFA-s përcaktojnë se leja e lindjes për futbolliste duhet të jetë “për periudhë minimale prej 14 javësh mungesë me pagesë”, tetë javë prej të cilëve duhet të jenë pas lindjes. Nuk ka ndonjë përcaktim specifik për lejen e atësisë, duke lënë hapësirë për përgjegjësitë e interpretimet.
Një klub kishte një veturë në gatishmëri jashtë stadiumit për një lojtar, partnerja e të cilit do të lindte së shpejti. Një trajner në një klub të nivelit të lartë evropian nuk udhëtoi në një ndeshje që të jetë me gruan e tij pasi ajo ishte gati të lindte fëmijën e tyre të dytë. Ai e pa ndeshjen në televizion dhe u dha udhëzime stafit të tij të trajnerëve.
Dhjetë minuta pasi nisi ndeshja, gruaja e trajnerit nisi të kishte dhimbje të lindjes, ka treguar ai. Vajza e çiftit lindi dy orë pas ndeshjes. Jeremy Doku sigurisht nuk është lojtari i parë që mund të vendosë për pjesëmarrjen në lindjen e fëmijës së tij para futbollit.
Në vitin 2018, Fabian Delph u largua nga kampi i Anglisë në Botërorin në Rusi dhe u kthye në Mbretëri të Bashkuar për lindjen e vajzës së tij. David Silva humbi dy ndeshje të Manchester Cityt pas lindjes së parakohshme të djalit të tij në vitin 2018. Ish-portierit të Manchester Unitedit, David De Gea, iu dha pushim i zgjatur gjatë pandemisë Covid19, kur partnerja e tij lindi vajzën.
Por ka edhe plot raste kur futbollistët nuk ishin të pranishëm. Në fundjavë, mbrojtësi i Norvegjisë, Leo Ostigard, e pa lindjen e djalit të tij përmes një videolidhjeje. Ai është në Botëror. Ruben Neves pati përvojë të ngjashme në janar 2021. E pa lindjen e fëmijës së tij të tretë në telefonin e tij derisa ishte në autobusin e ekipit Wolves pas një humbjeje 1:0 nga Crystal Palace.
Gruaja e Nevesit ishte kthyer në Portugali pasi mjeku i saj ishte atje. Por planet e Nevesit për t’u bashkuar me të u prishën nga kufizimet e udhëtimit për shkak të pandemisë.
Kur Roy Keane ishte ndihmëstrajner tek Irlanda, ai tha në shaka se Robbie Kean duhej të ishte në dispozicion për të luajtur në një ndeshje kundër Gjermanisë pas lindjes së djalit të tij, “përveç nëse ai po e ushqen me gji”. “Futbolli është gjëja më e rëndësishme nga gjërat e parëndësishme.
Kështu që nuk është i rëndësishëm në një kohë si kjo”, tha Thomas Frank, ish-trajner i Brentfordit dhe Tottenhamit. Ai përkrah idenë që Doku të kthehet në shtëpi për lindjen e fëmijës.
