Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në Pogradec, ku një 30-vjeçar ka goditur me thikë bashkëshorten e tij në banesë në lagjen 4 të qytetit. Dyshohet se çifti ka pasur një konflikt të çastit dhe burri ka marrë thikën duke e goditur. Sipas informacioneve, 29-vjeçarja ka marrë 2 plagë, në bark dhe krah.
Ajo po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Pogradecit, ndërsa do të niset drejt Tiranës për mjekim më të specializuar por deri më tani nuk ka rrezik për jetën. Ndërkohë, 30-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ai është shoqëruar nga policia e Pogradecit në ambientet e komisariatit. Çifti mësohet se jeton në Greqi, por kishte ardhur me pushime te familjarët e tyre.
Ndërkohë vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
