Kush është Andy Burnham, ligjvënësi që po kërkon ta zëvendësojë Starmerin?

0%

Nga: Associated Press Përktheu:

Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Andy Burnham është një politikan që është shndërruar në një figurë që synon të bëhet kryeministri i ardhshëm i Britanisë. Politikani 56-vjeçar paraqitet si një njeri i thjeshtë nga veriu i Anglisë, që preferon bluzat e thjeshta në vend të kostumit dhe kravatës, dhe që kohën e lirë e kalon duke luajtur futboll ose duke lëshuar muzikë të viteve 1990.

Ai është gjithashtu një politikan me përvojë, karriera e të cilit e ka çuar nga poste të larta qeveritare deri te posti i kryetarit të partisë “Greater Manchester”, dhe tani në prag të zyrës së kryeministrit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Burnham pritet të sfidojë kryeministrin Keir Starmer pasi fitoi një vend në Parlament në një palë zgjedhje të veçanta, të cilat i përshëndeti si një “pikë kthese” për politikën britanike. Ai është lindur dhe rritur në një zonë të Anglisë veriperëndimore, mes Liverpoolit dhe Mançesterit, si djali i një inxhinieri të “British Telecom” dhe një recepsionisteje.

Burnham i është bashkuar Partisë Laburiste si adoleshent, ka studiuar në Universitetin e Cambridge dhe është zgjedhur për herë të parë deputet në vitin 2001. Ai ka shërbyer si deputet për rreth 15 vjet, duke u ngjitur në hierarkinë politike gjatë qeverisë së Tony Blair dhe duke qenë pjesë e kabinetit të kryeministrit, Gordon Brown, nga viti 2007 deri në vitin 2010.

Ai ka kandiduar dy herë për drejtimin e Partisë Laburiste, në vitet 2010 dhe 2015, por ka humbur bindshëm në të dy rastet. Më pas është larguar nga Westminster për të kandiduar për kryetar të Mançesterit.

Mandati i tij i ka sjellë nofkën “Mbreti i Veriut”, një referencë e frymëzuar nga seriali “Game of Thrones”, që lidhet si me mbrojtjen e interesave të rajonit të tij, ashtu edhe me ambiciet e tij politike që nuk i fsheh plotësisht.

Ai e ka fituar këtë nofkë gjatë pandemisë COVID-19, kur kritikoi ashpër kryeministrin konservator, Boris Johnson, për atë që ai e quajti një qasje “të përqendruar te Londrës” ndaj krizës. Burnham ka udhëhequr rajonin e Greater Manchester që nga viti 2017, duke mbikëqyrur rigjallërimin e shpejtë të qytetit ku lindi Revolucioni Industrial.

Qendra e qytetit është zhvilluar ndjeshëm, me rrokaqiej të rinj që janë ngritur në zona të mëparshme industriale. Shumë banorë e vlerësojnë atë për mbështetjen e qytetit. Ai e mori nën kontroll publik një sistem transporti publik të fragmentuar, e quajti Bee Network dhe përmirësoi shërbimet e tij.

Ai ka fituar gjithashtu vlerësime për mbështetjen e fushatës për drejtësi për viktimat e tragjedisë Hillsborough, ku 97 tifozë të Liverpoolit humbën jetën nga një stampedo, gjatë një ndeshjeje futbolli në vitin 1989.

Vite të tëra përpjekjesh nga familjet e viktimave zbuluan gabime dhe shkelje nga policia, e cila fillimisht kishte përhapur pretendime të rreme duke fajësuar tifozët e dehur, dhe çuan në një kërkimfalje nga qeveria.

Burnham konsiderohet politikisht se qëndron më majtas se Starmeri, gjë që shihet si avantazh mes anëtarëve të Partisë Laburiste, dhe ai njihet si një nga komunikuesit më të mirë të partisë.

Tri fitoret e tij në zgjedhjet për kryetar bashkie dhe fitorja bindëse në zgjedhjet e së enjtes në Makerfield, ku mposhti me diferencë kandidatin e partisë kundër emigracionit “Reform UK”, Nigel Farage, e kanë forcuar reputacionin e tij si fitues.

Shumë brenda partisë shpresojnë se ai mund të përmbysë rënien e madhe të popullaritetit të Laburistëve që nga fitorja dërrmuese e Starmerit në zgjedhje dy vjet më parë.

Burnham premton të zbatojë në shkallë kombëtare modelin e tij të njohur të “Manchesterizmit” – një politikë që, sipas tij, vendos njerëzit dhe vendet para partisë dhe përqendrohet te rajonet që janë lënë pas dore nga qeveritë në Londër. “Ajo që kemi ndërtuar në Greater Manchester duhet të shtrihet në nivel kombëtar”, ka thënë Burnham gjatë fushatës.

Në fjalimin e tij pas zgjedhjeve, Burnham ka paraqitur prioritetet e tij: arsim profesional më të mirë dhe vende pune për të rinjtë, ulje të faturave të energjisë dhe çmimeve të biletave të trenit, si dhe “fundin e ekonomisë së rrjedhjes nga lart-poshtë, e cila në fakt nuk ka sjellë shumë përfitime për vende si ky”.

Kritikët thonë se politikat e Burnhamit janë të paqarta dhe nuk përballen me pyetje të vështira, siç është burimi i financimit për premtimet e tij. Ata gjithashtu theksojnë se drejtimi i një vendi me 70 milionë banorë është shumë ndryshe nga administrimi i një rajoni urban me 3 milionë banorë. Megjithatë, Burnham tani ka fituar vrull politik, i cili mund ta çojë deri në Downing Street.

Burimi: Koha