Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Fushë Kosovës përgjatë vitit 2025 ka angazhuar ekspertë dhe punëtorë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, por se, ata kanë kryer detyra që do duhej t’i kryenin punëtorët e Komunës me kontrata të rregullta.
Punëtorët me shërbime të veçanta angazhohen në rastet kur kërkohet një detyrë specifike për t’u kryer, ose e ndonjë profili të specializuar që duhet për ndonjë projekt, kur komunat nuk kanë profile të tilla në stafin e tyre. Marrëveshjet e tilla lidhen me afat të shkurtër, zakonisht nga 6 muaj deri në 1 vjet, varësisht nga nevojat e projektit.
Sipas Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Fushë Kosovës për vitin 2025, në një rast është gjetur se Komuna kishte angazhuar 11 punëtorë për periudhën tre vjeçare për projektin e quajtur “Forcimi i Kapaciteteve të Administratës Publike”.
Sipas ZKA-së, nga shqyrtimi i dokumentacionit është vërejtur se pozitat e angazhuara, përfshirë zyrtarë administrativë, ligjorë, inspektorë dhe zyrtarë teknikë, kryenin detyra të rregullta organizative dhe funksionale të komunës, e jo aktivitete të ndërlidhura me një projekt specifik të përkohshëm.
Në një rast tjetër, ZKA ka gjetur se Komuna e Fushë Kosovës kishte zhvilluar procedura për angazhimin e tre ekspertëve me marrëveshje për shërbime të veçanta, të cilët kishin kryer detyra me natyrë të rregullt operative dhe jo shërbime specifike profesionale.
“Po ashtu, nga shqyrtimi i kontratave dhe raporteve të punës është vërejtur se detyrat dhe përgjegjësitë e tyre nuk ishin specifikuar qartë” – thuhet në Raport.
ZKA ka thënë se përdorimi i formave alternative të angazhimit për mbulimin e detyrave të rregullta operative dhe organizative, rrit rrezikun e anashkalimit të procedurave të rregullta të rekrutimit, si dhe përdorimit joadekuat të marrëveshjeve për shërbime të veçanta.
“Kryetari duhet të sigurojë që angazhimi i stafit përmes projekteve dhe marrëveshjeve për shërbime të veçanta të realizohet vetëm për nevoja specifike dhe të përkohshme, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Po ashtu, duhet të sigurohet që gjatë angazhimit të ekspertëve profesionalë të aplikohen kritere të përshtatshme vlerësimi, në përputhje me kërkesat ligjore” – thuhet në rekomandimin që ZKA-ja i ka dhënë Komunës së Fushë Kosovës.
Komuna e Fushë Kosovës është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së, ndërsa këta të fundit kanë dhënë opinion të kualifikuar në lidhje me pasqyrat financiare të Fushë Kosovës për vitin 2025. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në vitin paraprak, ZKA-ja i kishte dhënë 15 rekomandime kryesore Komunës së Fushë Kosovës. Prej tyre, deri në fund të vitit 2025 tetë janë zbatuar; pesë nuk janë zbatuar ende; një rekomandim është në proces; si dhe një rekomandim nuk është i aplikueshëm më.
ZKA ka vërejtur se Komuna e Fushë Kosovës nuk kishte përgatitur një plan të veprimit, ku do duhej të paraqitej mënyra se si do të zbatojë rekomandimet e dhëna nga Auditori. Raportin e plotë për Komunën e Fushë Kosovës mund ta gjeni KËTU .
