Andy Burnham ka deklaruar se është ende shumë herët për të diskutuar mbi mundësinë e zgjedhjeve të reja kombëtare, ndërsa hyn në garën për drejtimin e Partisë Laburiste pas dorëheqjes së Keir Starmer. “Mendoj se po shkoni disa hapa përpara”, u tha Burnham gazetarëve, kur u pyet nëse do të shpallte zgjedhje të përgjithshme në rast se do të bëhej kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
Ish-kryetari i bashkisë së Manchester do të betohet sonte si deputet i Makerfield, pas zgjedhjeve të zhvilluara javën e kaluar. Pasi konfirmoi kandidaturën e tij për postin e kryeministrit dhe drejtimin e Partisë Laburiste, Burnham u pyet edhe për një postim të mëparshëm në rrjetin social X, ku kishte kërkuar zgjedhje të menjëhershme pas dorëheqjes së Liz Truss në vitin 2022.
Burnham theksoi se prioriteti i tij aktual është marrja e detyrës si deputet i Makerfield dhe se ka ende “shumë pengesa për t’u kapërcyer” përpara se të diskutohet për zgjedhje të reja. Ai shtoi se ndihet i trishtuar që po largohet nga Mançesteri, qytet që e ka drejtuar për vite me radhë, por shprehu shpresën se po nis një kapitull të ri pozitiv në karrierën e tij politike.
Deri më tani, Burnham mbetet i vetmi politikan që ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën për drejtimin e Partisë Laburiste dhe, potencialisht, për postin e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.
