Manchester City është pranë arritjes së një marrëveshjeje financiare me Chelsean për emërimin e Enzo Marescas si trajner të ri të skuadrës, raportojnë mediat angleze dhe italiane. Chelsea po kërkon një kompensim të konsiderueshëm për lirimin e teknikut italian, i cili kishte ende kontratë afatgjatë me klubin londinez kur u largua në fillim të këtij viti.
Sipas raportimeve, bisedimet mes dy klubeve po vazhdojnë dhe shuma totale e marrëveshjes mund të arrijë deri në 20 milionë euro. Chelsea pretendon se ka të drejtë për kompensim pasi Maresca kishte zhvilluar kontakte me Manchester Cityn ndërsa ishte ende nën kontratë në “Stamford Bridge”, megjithëse palët synojnë ta zgjidhin çështjen pa procedura ligjore.
Maresca konsiderohet prej muajsh si pasardhësi kryesor i Pep Guardiolës. Italiani ka punuar më parë si ndihmës i Guardiolës te Manchester City dhe drejtuesit e klubit e shohin atë si njeriun ideal për të vazhduar filozofinë e lojës së kampionëve anglezë.
Manchester City shpreson që marrëveshja me Chelsean të finalizohet para fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri, në mënyrë që Maresca të nisë menjëherë punën në “Etihad Stadium”
