Trangulli i Kosovës po fiton tregun evropian

0%

Nga serrat e Rahovecit drejt tavolinave evropiane. Me çmim më të lartë, cilësi më të mirë dhe kërkesë në rritje, trangulli i Kosovës po dëshmon se është një nga kulturat më fitimprurëse për fermerët dhe një produkt që po fiton besimin e tregjeve ndërkombëtare.

Çmimi më i lartë krahasuar me vitin e kaluar, rendimenti i mirë dhe kërkesa gjithnjë në rritje nga tregjet evropiane po i motivojnë fermerët që të zgjerojnë kultivimin e trangullit. Kjo kulturë vazhdon të mbetet ndër perimet më fitimprurëse në vend, ndërsa suksesi i saj lidhet ngushtë me prodhimin cilësor dhe plasmanin e sigurt.

Aziz Krasniqi nga fshati Radostë i komunës së Rahovecit kultivon 8 hektarë tokë me perime dhe kultura kungullore. Nga kjo sipërfaqe, 80 ari janë të mbuluara me serra, ku këtë vit gjysmën e tyre e ka mbjellë me trangull. Ai pret rendiment të lartë dhe prodhim cilësor. Sa i përket sëmundjeve që prekin këtë kulturë, Krasniqi thotë se këtë vit nuk ka pasur probleme serioze.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Madje, duke përdorur fidanë të shartuar, ka arritur të shmangë edhe dëmtuesit që e kishin shqetësuar në vitet e kaluara. Ai shton se shitja është e garantuar dhe është i kënaqur edhe me çmimin, i cili është më i favorshëm se një vit më parë. Trangulli renditet ndër tri kulturat perimore më të rëndësishme ekonomike në Kosovë.

Këtë e thekson agronomi Besim Sahiti, i cili nënvizon se zgjerimi i sipërfaqeve me perime varet në masë të madhe nga sigurimi i tregut për produktin. ​Importet arrijnë 2.9 miliardë euro më 2026, eksportet mbeten shtatë herë më të ulëta Sipas tij, për të arritur një plasman të qëndrueshëm, fermerët duhet të menaxhojnë në mënyrë profesionale parcelat e tyre, duke filluar nga përzgjedhja e fidanëve, skemat e duhura të plehërimit dhe zbatimi i masave mbrojtëse ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Për shkak të ciklit të shkurtër të kultivimit, trangulli kërkon kujdes të veçantë në ushqimin e bimës dhe mbrojtjen fitosanitare. Sahiti thotë se sëmundjet që e prekin më së shumti këtë kulturë janë vrugu, hiri i kungulloreve dhe sëmundjet e rrënjës.

Ndërsa nga dëmtuesit më problematikë ai veçon tripsin, morrin e gjetheve, merimangën dhe nematodin, një dëmtues që ka filluar të shfaqet vitet e fundit në Kosovë. Duke marrë parasysh kërkesën në treg, çmimet dhe ciklin e shkurtër të prodhimit, Sahiti vlerëson se kultivimi i trangullit është një veprimtari shumë fitimprurëse.

Emrush Taqi nga fshati Qifllak i komunës së Rahovecit thotë se rendimenti dhe cilësia janë më të mira se vitin e kaluar. “Jemi të kënaqur me çmimin, pasi këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar. Si veprimtari është fitimprurëse, por problem për ne mbetet fuqia punëtore”, thotë Taqi.

Ndërkohë, Feim Rexhepi, drejtues i pikës grumbulluese në Xërxë të Rahovecit, tregon se këtë vit pritet të grumbullohen rreth 1,500 tonë trangull, dyfish më shumë se vitin e kaluar. Ai shpjegon se bashkëpunimi me fermerët zhvillohet në mënyrë profesionale, ndërsa seleksionimi i produktit realizohet sipas standardeve dhe metodave bashkëkohore ndërkombëtare.

Sipas Rexhepit, edhe çmimi i blerjes është më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Trangulli i prodhuar në Kosovë, i grumbulluar në këtë qendër, eksportohet kryesisht në vendet evropiane. Ai thekson se blerësit nga Evropa janë gjithnjë e më të kënaqur me cilësinë e produkteve, gjë që po reflektohet me rritjen e vazhdueshme të kërkesës nga viti në vit

Burimi: Telegrafi