Shqipëria në protestë – Kundërshtime për Sazanin, Zvërnecin dhe pronat në Kakome

0%

Shpërndaje në: Tash e 21 ditë Tirana vërshohet nga protestuesit të cilët mblidhen çdo ditë nga ora , për të kundërshtuar investimin turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit. Protestat siç edhe janë bërë zakon, vazhdojnë deri në mesnatë.

Megjithatë, disa protestues, mbrëmë e kaluan natën në shesh, ku më pastaj u përballën me thirrjet e Policisë për të liruar rrugën dhe për t’u larguar. Por, qytetarët iu përgjigjën në kor thirrjeve të Policisë me sloganin: “Rama, jep dorëheqjen”, duke vijuar qëndrimin e tyre përpara Kryeministrisë.

Protestuesit vazhdimisht thonë se do të protestojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura. Përveç kësaj, ata po kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vetë Rama, deklaroi se ekziston një përzierje e hatashme ndërkombëtare në protestat kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se qeveria nuk mund të drejtohet nga zhurma apo presioni i rrjeteve sociale.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të shtunën, Rama ka thënë se ekziston një “përzierje e hatashme ndërkombëtare”, ku sipas tij ka njerëz që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia për ta “shpëtuar” Shqipërinë në emër të shqiptarëve. E shtuna, e cila ishte dita e 21-të e protestave atje, raportohet të ketë mobilizuar edhe mërgatën.

Siç raportuan mediat e Shqipërisë, protesta mblodhi mërgimtarë nga Anglia, Franca, Gjermania e Austria. Përveç kësaj, protestuesit hoqën dhe grisën flamurin e ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, e dënoi këtë veprim të protestuesve ndërsa në reagim deklaroi se kjo nuk e përfaqëson Shqipërinë e as popullin shqiptar dhe bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes.

Ndërsa ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, në reagimin e saj u shpreh se një akt i tillë e dëmton imazhin e Shqipërisë dhe e turpëron popullin e saj ndonëse e respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Përveç në Tiranë për zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, dhjetëra banorë të Nivicës, Shën Vasilit, pronarë të tokave në Kakome të Shqipërisë dhe emigrantë që erdhën nga qytete të ndryshme të vendit protestuan në zonën e Kakomesë gjatë së dielës.

Gjatë protestës, ata hoqën muret rrethuese, godinat e rojeve dhe telat që rrethonin Gjirin e Kakomesë, rrethim për të cilin thanë se qëndron aty prej 22 vitesh. Dy ditë më parë ishte hequr edhe porta në hyrje të gjirit, raportoi Top Channel. Protestat në Shqipëri, janë pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare.

Sipas kryeministrit Rama, shumë qytetarë dalin në protesta me bindje të sinqerta se po mbrojnë natyrën, biodiversitetin dhe pasuritë kombëtare, por vlerësoi se shpesh këto reagime ushqehen nga informacione të pjesshme dhe interpretime të gabuara të fakteve. Ai ka kërkuar nga qytetarët të mos bëhen peng i iluzioneve.

Burimi: Koha