Rritja e Botërorit e mban garën interesante, me gjithë drojën

0%

Shpërndaje në: Jo shumë kohë pasi FIFA njoftoi se Kupa e Botës do të zgjerohet në 48 ekipe nacionale, filluan kritikat për cilësinë e turneut që do të zvogëlohej. Kritikët argumentuan se duke lejuar ekipet e vogla në ngjarjen e madhe, numri i ndeshjeve të dobëta do të rritej. Me këtë edhe mundësia për rezultate të thella.

Derisa po zhvillohen ndeshjet e xhiros së dytë të fazës grupore, kjo frikë nuk duket se ishte shumë e drejtë. Gjatë 24 ndeshjeve të para, diferenca e golave mbeti e pandryshuar krahasuar me Botërorin “Katari 2022”, duke sugjeruar se ngjarja më e madhe nuk dha më shumë përfaqësuese superiore. Gjermania fitoi 7:1 ndaj Kuraçaot. Por më pas Kuraçao luajti pa gola me Ekuadorin.

Katari u mposht 6:0 nga Kanadaja, por pasi u godit nga dy përjshtime. Dhe Haiti u eliminua pas dy ndeshjeve. Por disa nga vendet më pak tradicionale arritën të mbanin pozicionin e tyre të denjë. Kepi i Gjelbër është prej përfaqësueseve më të vogla që është paraqitur ndonjëherë në Botëror. Por bëri superbefasi kur luajti pa gola me kampionen e Evropës, Spanjën.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kongoja e kishte vetëm një pjesëmarrje në Botëror. Në vitin 1974 ishte paraqitur si Zaire. Kongoja nuk u shqetësua që përballë e kishte Cristiano Ronaldon dhe yjet e tjerë të shumtë të Portugalisë. Siguroi barazim 1:1. Trajnerët, lojtarët dhe analistët thonë se futbolli global është bërë gjithnjë e më garues.

Më shumë lojtarë paraqiten në ligat e mëdha dhe shumë trajnerë të njohur angazhohen nga vende të vogla. Qasja në njohuritë taktike dhe metodat e përgatitjes fizike tani po ashtu është më e madhe. Dhe kjo u mundëson ekipeve pa shumë traditë që të garojnë me fuqitë e futbollit. “Është shumë e vështirë të fitosh. Më habiti se sa të barabarta janë gjërat.

Folën për 48 ekipe, por pos Gjermanisë që shënoi shumë gola, të gjitha ndeshjet tjera ishin të ndërlikuara”, tha selektori i Meksikës, Javier Aguirre. “Nuk është e lehtë të fitosh. Vërtetë, më besoni. Ekipet janë përmirësuar. Deri vonë nuk dinim shumë për Kepin e Gjelbër por ja ku është. Maroku luajti ndeshje të jashtëzakonshme kundër Brazilit”, ka shtuar Aguirre.

Derisa numri i golave pas 24 ndeshjeve të para u rrit nga 57 sa ishin në Katar në 75 këtë vit, diferenca e golave mbeti e njëjtë – 35. Edhe selektori i Spanjës, Luis de la Fuente foli për një Botëror shumë të barabartë. Katari, që pësoi shumë gola nga Kanadaja, kishte momentin e tij. E ndali në barazim Zvicrën.

Edhe Haiti kishte paraqitje solide në humbjen 1:0 nga Skocia, ndërsa më pas u dominua nga Brazili. Zelanda e Re, që kur nisi Botërori ishte e 85-ta në ranglistën botërore të FIFA-s, luajti 1:1 me Iranin që mbante vendin e 20-të në renditje.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin u kritikua më herët në Botëror nga federata të Azisë, Afrikës dhe Karaibeve për pretendimin se zgjerimi i Botërorit ka bërë që të ketë ndeshje jointeresante.

“Kemi një numër të madh ndeshjesh që janë krejtësisht jointeresante”, kishte thënë Çeferin, që kishte shtuar se zgjerimi u lejon vendeve të vogla të marrin pjesë dhe të përjetojnë emocionin e turneut. Federatat e Kepit të Gjelbër, Kongos, Kuraçaot, Haitit, Jordanisë dhe Uzbekistanit lëshuan deklaratë të përbashkët.

Deklarata u përkrah edhe nga Algjeria, Egjipti, Gana, Bregu i Fildishtë, Maroku, Senegali, Afrika e Jugut dhe Tunizia. “Futbolli nuk i përket një grupi të zgjedhur vendesh. Forca e futbollit vjen nga universaliteti i tij”, thuhet në deklaratë. “Për shumë vende, pjesëmarrja në Kupën e Botës nuk është vetëm arritje sportive.

Është moment që frymëzon një gjeneratë, përshpejton zhvillimin e futbollit dhe krijon kujtime që zgjasin një jetë”. Entuziazmi tek autsajderët, natyrisht, mund të jetë jetëshkurtër. Por disa prej tyre kanë shpresë dhe kjo mund të jetë e mjaftueshme për të mbajtur një ekip.

Burimi: Koha