Rënia e çmimeve në bursat botërore, që pritet të reflektohet në çmimin final të karburanteve të hënën, tek qytetarët shkakton skepticizëm nëse vërtet do të ketë ndikim. Një pjesë e tyre mendojnë se çmimet do të stabilizohen, ndërsa të tjerë besojnë se mund të mos ketë fare reagim. Sa i përket çmimeve të produkteve ushqimore, mendimet janë po ashtu të ndara.
Disa presin që ulja e çmimeve të karburanteve të kontribuojë edhe në lirimin e produkteve, ndërsa të tjerë nuk parashohin asnjë ndryshim. “Do të stabilizohet, pasi atje kanë bërë gjithçka, Trampi dhe tjetri thanë se do të jetë dhe do të bjerë çmimi. Normalisht, me naftën lidhet kjo, sapo të ndodhë edhe çmimet do të bien”, tha një qytetar. “Thanë se do të ulet, por sa do të ulet nuk e di.
Produktet nuk besoj, produktet kudo që të shkosh në dyqan dhe nëpër tregje, çmimet janë katastrofë”, u shpreh një qytetar tjetër. “Tani është shtrenjtë, çmimi është i lartë, në raport me naftën, sapo rritet nafta rriten edhe artikujt e tjerë. Prisni stabilizim përfundimtar? Shpresoj” , theksoi qytetari.
Përndryshe, të hënën çmimet e naftës ranë, ndërsa aksionet u rritën pasi SHBA dhe Irani njoftuan se janë pajtuar, për një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund luftës, për të cilën presidenti amerikan Donald Trump, tha se do të çojë në rihapjen e rrugës kyçe detare përmes Ngushticës së Hormuzit.
Nafta e papërpunuar Brent, çmimi referencë global për naftën, ra me 7,7% nën 80 dollarë për fuçi, ndërsa aksionet në Azi dhe Evropë u rritën si reagim ndaj marrëveshjes.
