Muzeu Etnografik i Beratit po kthehet në një nga pikat më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. I vendosur në lagjen historike të Mangalemit, muzeu pasqyron jetën, kulturën, ekonominë dhe traditat e qytetit gjatë dy shekujve të fundit. Pas rikonstruksionit të fundit, ai ekspozon mbi 1300 artefakte dhe pret mesatarisht rreth 100 vizitorë në ditë.
“Kryesisht ata janë të huaj, por kemi dhe shumë grupe shkollash, fëmijësh, të cilët shohin nga afër, prekin, dëgjojnë traditat, historinë edhe mënyrën e jetesës së të parëve tanë”, tha Miklor Pasku, Drejtor i Qendrës Muzeore Berat.
I vendosur në një banesë karakteristike të stilit “çardak”, që dikur i përkiste një familjeje të pasur beratase, muzeu tërheq vëmendjen e vizitorëve për arkitekturën dhe mënyrën se si paraqet jetesën e shqiptarëve ndër shekuj. “Më pëlqeu veçanërisht kati i dytë me dhomat, kuzhinën, oxhakun dhe enët prej balte. Gjeta ngjashmëri me banesat tradicionale që kam parë në Lindjen e Mesme”.
“Më bëri përshtypje dhoma e miqve dhe mënyra si paraqitet jeta familjare e shqiptarëve ndër shekuj”, shprehen turistët. Specialistët e muzeut thonë se këtë vit janë ekspozuar për herë të parë edhe disa zbulime të rëndësishme arkeologjike, që datojnë rreth 2500 vjet më parë dhe dëshmojnë traditën e hershme artizanale të Beratit.
“Brenda muzeut etnografik ne kemi histori dy shekullore, pra shekulli i 19 dhe gjysma e parë e shekullit të XX, ku flitet për mënyrën e jetesës si në zonën e qytetit ashtu edhe në zonat përreth qytetit të Beratit”, tha Saimir Plaja, Përgjegjës i muzeut etnografik.
Muzeu Etnografik hapi dyert për herë të parë në vitin 1979 dhe më pas fitoi statusin e Muzeut Kombëtar, duke mbetur sot një prej atraksioneve kryesore kulturore të qytetit.
