Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka përmbyllur paraqitjen në CEV Volleyball European League 2026, duke shënuar progres të madh në lojë dhe duke lënë pas një kampanjë që do të mbahet mend për një moment historik – fitoren e parë të regjistruar ndonjëherë në garat evropiane.
“Në ndeshjen e fundit të turneut, Kosova u përball me Hungarinë, një kundërshtare me përvojë të madhe ndërkombëtare. Volejbollistet tona luftuan në secilin set, por në fund u mposhtën me rezultat 0:3 (, , ). Edhe pse pa sukses në rezultat, Kombëtarja tregoi karakter dhe rivalizoi denjësisht deri në pikët e fundit të secilit set.
Megjithatë, kjo kampanjë do të kujtohet para së gjithash për një moment që tashmë ka hyrë në historinë e volejbollit kosovar. Fitorja ndaj Malit të Zi ishte e para e Kombëtares së Kosovës në CEV Volleyball European League dhe njëkohësisht fitorja e parë e regjistruar nga vajzat tona në garat evropiane.
Një triumf që dëshmoi se puna shumëvjeçare dhe investimi i vazhdueshëm po japin frytet e para. Përveç kësaj fitoreje historike, Kosova arriti të fitojë edhe një set ndaj Spanjës, duke treguar se diferencat me kundërshtarët me përvojë po ngushtohen dhe se Kombëtarja po fiton gjithnjë e më shumë besim në skenën ndërkombëtare. Rritja e nivelit të paraqitjeve nuk është rastësi.
Ajo është rezultat i punës intensive të bërë gjatë muajve të fundit, numrit gjithnjë e më të madh të grumbullimeve, përkushtimit të lojtareve, angazhimit të stafit teknik dhe punës së vazhdueshme të Federatës së Volejbollit të Kosovës për të siguruar kushtet më të mira dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare.
Kjo kampanjë ka dëshmuar se volejbolli i femrave në Kosovë po ecën në drejtimin e duhur. Rezultatet e arritura, paraqitjet gjithnjë e më konkurruese dhe historia e shkruar në këtë edicion të CEV Volleyball European League janë motivim shtesë për të vazhduar punën me të njëjtin përkushtim.
E ardhmja i takon këtyre vajzave, që me zemër, sakrificë dhe krenari vazhdojnë të shkruajnë kapituj të rinj për volejbollin e Kosovës” . thuhet nga FVK.