Gjyshja ime e ndjerë për president

0%

Nga: Bardh Rugova Shpërndaje në: Shumë njerëz ulen në kolltukë dhe pushteti i deh deri në masën sa të kujtojnë edhe se janë të dijshëm. Mos ju ardhtë mërzi, ky është një shkrim për ta Seminari kishte nevojë për një pamje të re, solemne, dhe Sislej Xhafa po më priste te Klubi i Pllumaxhijve në Prishtinë.

Një diell i hareshëm po paralajmëronte shend e gjallëri të ditës, por ne kishim palltot e dimrit ende në trup, tek po pinim kafe në oborr. – Kam menduar: dua ta bëj hyjneshën të shtrirë e duke pushuar, tha ai. Kur Sislej flet për artin, i bindesh.

Një ndër artistët më të kremtuar shqiptarë në botë po ofronte shërbimet e tij pro bono për Seminarin jubilar që po shënonte edicionin e tij solemn, në pesëdhjetëvjetorin e themelimit, duke ofruar pamjen e posterit. Nja një muaj më shumë, e një pallto më pak në trup më pas, një telefonatë do të më trazonte tek po pushoja në fundjavë në bregdet, ende pa nisur stina.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kishim përfunduar shumicën e punëve përgatitore, por telefonata zyrtare nga shefat e mi në Universitet kishte të bënte me posterin që pasqyronte hyjneshën të shtrirë në jastëk, të rimenduar nga Sislej Xhafa e të dizajnuar nga im vëlla Ylli. Toni ishte i prerë, urdhërues dhe pos qortimit për hyjneshën, po kërkonte që ta ndërronim.

Madje, më ofroheshin shërbime të Departamentit të Dizajnit të Universitetit të Prishtinës. Ishin njerëz që vendosin për buxhetin e Seminarit. Nuk ishte reaguar asnjëherë deri tash në këtë mënyrë.

Hyjneshën, e cila ishte bërë simbol i Seminarit pas luftës, në Seminarin e vitit 2000, e kishin dizajnuar ndonjëherë profesionistë, por ndonjëherë edhe amatorë të ndryshëm, qoftë studentë vullnetarë, qoftë shtypës pullash në shtypshkronjën që merr tenderët e Universitetit. Mirëpo, kurrë nuk kishte pasur telefonata qortuese për drejtorin.

Tani që hyjnesha ishte Sislej Xhafa original, vepër arti me vlerë të nivelit më të lartë botëror, përnjëherë po shfaqeshin reagimet. Natyrisht, nuk ishte e papritshme për mua që edhe njerëz të arsimuar mirë të mos dinë ta dallojnë një vepër arti.

Ajo që është quajtur art ndër epoka është përkufizuar ndryshe-ndryshe nga autore të ndryshme, jo vetëm se ka ndryshuar mendimi për të, por edhe për shkak se ajo që njihet si ‘art’ ka rishpikur dhe riformësuar vetveten.

Është një veprimtari njerëzore që funksionon si komunikim universal në kohë e në hapësirë pikërisht në bazë të risisë që ofron dhe kjo risi pritet të krijojë ndryshim të të menduarit në komunitetin njerëzor. Këto ndryshime bëjnë që edhe vetë veprimtaria të ndryshojë.

Ajo që është konsideruar art në antikitet, ajo që është konsideruar art në Renesansë, ajo që është konsideruar art në Iluminizëm, ajo që është konsideruar art në Romantizëm dhe ajo që konsiderohet art në kohën e sotme, nuk mund të përmblidhen në të njëjtin përkufizim.

Sikur edhe në art, në shkencë, një vepër studimore nuk është e mirë se nuk është e padiskutueshme, por se rezultatet e saj përbëjnë risi të dallueshme në raport me rezultatet e deritashme. Duke qenë të tilla, gjithnjë janë të diskutueshme nga burokratë dhe persona gjysmë të shkolluar.

Pjesa që po më trondiste ishte ndjesia e njerëzve në pushtet që kujtojnë se kolltuku i bën edhe të dijshëm. Miloš Forman, në “Amadeus”, këtë e shpjegon me skenën klasike, kur perandori e gjykon veprën e Mozzartit: Është vepër e mirë, por vetëm ka shumë nota, duhet t’ia heqësh disa. – Si t’i heq? Vepra ka aq nota sa duhet të ketë? – Epo, hiqi disa. Perandori po flet. Guxo e mos u bind.

Shefat e mi administrativë po konsideronin se hyjneshës duhej hequr jastëku. Ata po flisnin. Guxo e mos u bind. Në një ndeshje të burokracisë me kulturën, në rrafshin afatgjatë kultura triumfon përherë. Prandaj, përgjigjja ime ishte edhe më e prerë dhe me mëlmesën e Richard Dawkinsit. – Hyjnesha mbetet. E kush nuk do që të kultivohet, mund të shkojë e të pirdhet!

Nejse Dawkins thoshte: Shkenca është interesante, e nëse nuk pajtoheni mund të pirdheni! Unë vetëm e përshtata në kontekstin tim. Studiuesit e krijuesit nuk i nënshtrohen kurrë ndonjë autoriteti, qoftë ai shef a qoftë perandor. Shqiptarët e shqiptaret nuk kanë perandor. Kosova nuk ka as president/e.

Këtë pranverë më ra puna të kisha pritje, tok me disa kolegë e kolege të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës te presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Me gjasë kishte ca nevojë të fliste dhe po e dëgjonim kryesisht me edukatë, tek na tregonte simbolikën e të qenit një. Nga kolltuku i tij, kjo “jemi një”, tingëllonte “unë jam edhe presidenti juaj”.

Na kishte gjetur ne të ngratëve pa president/e në Kosovë dhe nuk kishim as si ta kundërshtonim. Duke dalë, tek po ia jepja dorën, i propozova se mbase do të ishte mirë të shkonte sivjet në Zarë, në maj, meqë shënohej 300-vjetori i vendosjes së arbëneshëve dhe të arbënesheve atje. Kam nja nëntë vjet që bëj vizita hulumtimi atje dhe sapo kisha dorëzuar në shtyp librin për këtë komunitet.

Mirëpo, presidenti dinte më mirë se unë. – Jo, nuk është sivjet 300-vjetori. E di unë…, më tha. Këshilltarja e ngratë rrudhi krahët për të shmangur mundësinë që ta shikoja. Më kot u përpoqa t’ia shpjegoja. Ai ishte president. E dinte më mirë. Kur shkova në maj në Zarë të gjithë kujtonin se ishte 300-vjetori.

Arbëneshi Bozhidar Kallmeta, ish-ministër dhe kryebashkiak i Zarës, po hapte ceremoninë, duke thënë se është 300-vjetori. Ncncnc. Mund të jetë 299 +1, mund të jetë 301 – 1, por kurrsesi 300-vjetori. E dinë ata apo nuk e dinë se çfarë thotë presidenti? Një fjalë e re që hyri së voni në fjalorët e anglishtes është: agnorant – një përzierje e injorant dhe arrogant bashkë.

U përshtatet shefave të këtij shkrimi. Shefat e mi dhe presidenti kishin një veçori të përbashkët me një burrë në Amerikë, të quajtur Macarthur Wheeler. Ai kishte qenë një plaçkitës shul i bankës që më 1995 kishte hyrë me revole në dy banka të ndryshme dhe, pa maskë e pa brenga, kishte plaçkitur paratë dhe kishte shkuar në shtëpi.

Kur pak minuta më pas, policia i kishte trokitur në derë për ta arrestuar, Macarthur Wheeler kishte mbetur i befasuar. – Kush më tradhtoi?

Policët, po përpiqeshin t’i thoshin se nuk kishte pasur nevojë ta tradhtonte dikush, sepse e kishin parë në kamerat e sigurisë të bankave, por Macarthur Wheeler aty po i priste. – Nuk keni mundur të më shihni në kamera, sepse e kam pasur fytyrën të lyer me lëng limoni dhe kamera nuk të kap, kur e ke fytyrën të lyer me limon.

Kishte qenë aq shul sa të besonte se ta lyesh fytyrën me limon të bën të pakapshëm për kamerën dhe edhe më shul sa t’i bënte fotografi vetvetes dhe të mos dinte të kapte fytyrën e vet e të kujtonte që “ja, nuk të kap kamera”. Thënë ndryshe, kishte qenë aq shul sa të kujtonte se ishte i mençur.

David Dunning dhe Justin Kruger janë dy studiues që në bazë të kësaj kanë nxjerrë një përfundim që quhet Efekti Dunning-Kruger që thotë se njerëzit me më pak njohuri ose aftësi në një fushë shpesh kanë prirje të mbivlerësojnë aftësitë e tyre, mu për shkak se nuk kanë dije të mjaftueshme për të kuptuar që nuk dinë ose sa nuk dinë.

Gjyshja ime nuk ka qenë presidente, por ka qenë një matriarke krenare dhe në fëmijërinë time kisha përshtypjen se kishte qejf të merrte vendime dhe, madje, të përzihej në punët e të gjithëve brenda familjes. Nuk më dukej se ishte mjaftueshme e shkolluar sa fëmijët e saj, sa të marrë ajo vetë vendime të përbashkëta.

Njëherë vendosa ta sfidoja duke e tallur. – Çka kishe bo, me t’ pasë bo presidente? Në vend të një përgjigjeje që e prisja për tallje ajo më dha një leksion. – Unë nuk di. Kisha lypë me m’i pru njerëzit ma të dishëm dhe mandej i kisha pytë ata çka me bo, secili sipas asaj që dijin. Crrak. E mbylla gojën. E mbajta mend leksionin. Me fjalë të tjera: A po zgjedhim ne president/e, a jo a?

Burimi: Koha