Newcastle Unitedi e ka kthyer vëmendjen te një yll i Liverpoolit pasi humbi garën për transferimin e Victor Munoz. Andoni Iraola siguroi transferimin e tij të parë si trajner i Liverpoolit duke ua rrëmbyer lojtarin Newcastleit, pasi finalizoi një marrëveshje prej 34.6 milionë funtesh për Munozin, i cili aktualisht ndodhet në Kupën e Botës me Spanjën.
Munoz, 22 vjeç, ishte planifikuar si zëvendësuesi i Anthony Gordonit në krahun e majtë të sulmit të Newcastleit dhe kishte hedhur bazat për një transferim në “St James’ Park”, derisa Liverpooli ndërhyri në momentin e fundit. Teksa Newcastle po negocionte për çmimin, Liverpooli pranoi të paguante klauzolën e lirimit dhe Munoz kaloi në “Anfield” menjëherë pas kësaj.
Kjo është vera e dytë radhazi që Liverpooli ia rrëmben Newcastleit një objektiv të rëndësishëm në merkato, duke shtuar frustrimin e tifozëve të klubit verilindor.
Sezonin e kaluar, “The Reds” fituan garën për Hugo Ekitike, ndërsa më pas arritën edhe transferimin e Alexander Isakut, duke e detyruar Newcastlein të nënshkruante me Yoane Wissa dhe Nick Woltemade, të cilët nuk kanë bindur në sezonin e tyre të parë. Tani Newcastle po planifikon të “godasë” Liverpoolin duke synuar alternativën e Munozit.
Sipas “Caught Offside”, Cody Gakpo është në listën e dëshirave të trajnerit Eddie Howe, me drejtuesit e klubit që e kanë diskutuar holandezin si pasardhës të mundshëm të Gordonit. E ardhmja e Gakpos është vënë në pikëpyetje pas shkarkimit të Arne Slot, pasi sulmuesi realizoi vetëm shtatë gola në një sezon zhgënjyes, vetëm një vit pasi kishte fituar titullin e Premierligës.
Edhe Tottenham Hotspuri raportohet se është i interesuar për reprezentuesin holandez, i cili nënshkroi një kontratë të re afatgjatë në gusht të vitit 2025, me vlerë rreth 250 mijë funte në javë. Newcastle ka zhvilluar gjithashtu bisedime me Arsenal për Gabriel Martinelli dhe Leandro Trossard, me synimin për të forcuar repartin ofensiv.
Nga ana tjetër, Liverpooli po fokusohet te anësori i RB Leipzig, Yan Diomande. Ylli nga Bregu i Fildishtë vlerësohet me më shumë se 100 milionë funte, ndërsa fituesi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germain, është gjithashtu në garë për të. Çmimi i tij pritet të rritet nëse vazhdon paraqitjet e mira në Kupën e Botës.
Liverpooli po monitoron gjithashtu Said El Mala të Kolnit, Yankuba Minteh të Brightonit dhe Matias Fernandez-Pardo të Lille si alternativa në rast se nuk arrin të transferojë Diomanden. Edhe Bradley Barcola mund të përfundojë në “Anfield” nëse vendos të largohet nga PSG, megjithëse Arsenali pritet të jetë rival i fortë për firmën e tij.
