Nga: Vlerë Mehmeti Shpërndaje në: Edhe pse ligji kërkon trajtim në institucione të kujdesit shëndetësor, persona me çrregullime mendore që kryejnë vepra penale po mbahen në burgje e qendra të paraburgimit.
Institucionet shëndetësore përballen me mbingarkesë dhe mungesë kapacitetesh, ndërsa rastet e tilla po shtohen nga viti në vit Shumë persona me çrregullime mendore në Kosovë, që bien ndesh me ligjin, shpesh përfundojnë në burgje dhe qendra të paraburgimit në mungesë të kapaciteteve për trajtimin e tyre.
Një person, për të cilin është konstatuar se vuan nga çrregullime mendore, disa ditë më parë i ka sulmuar disa anëtarë të një familjeje në kryeqytet dhe tani ndodhet në qendrën e paraburgimit në Prishtinë. Sipas drejtorit të Institutit për Avokimin e Politikave Korrektuese, Alban Muriqi, vetëm në këtë qendër ndodhen rreth 20 persona me probleme të shëndetit mendor.
“Në qendrën e paraburgimit në Prishtinë, ku ka rreth 20 persona me probleme mendore, kështu këta krijojnë probleme për stafin shëndetësor edhe për pikëpamjen e sigurisë, i cili nuk është i mjaftueshëm për ta. Mirëpo krijojnë probleme dhe vështirësi për të dënuarit ose të paraburgosurit të tjerë, pasi duhet të ndajnë hapësira dhe të akomodohen së bashku me ta.
D.m.th. në njëfarë mënyre ka probleme të tilla brenda këtyre institucioneve, por jo vetëm aty, ka një numër të tyre edhe në Dubravë”, ka thënë ai. Ai ka theksuar se numri i personave të dënuar apo të paraburgosur me çrregullime mendore është relativisht i lartë dhe me tendencë të rritjes. Ndërkohë Instituti i Psikiatrisë Forenzike funksionon me kapacitete të kufizuara.
“I ka 12 për ekzaminim, 12 vende ose shtretër, edhe numri tjetër është prej 24 më duket, është për vendosjen e atyre që e kanë një masë psikiatrike me ndalim, do të thotë nga Gjykata.
Aty ka kërkesa të shumta nga Gjykata, e mundësi të pakta për t’i akomoduar të gjithë, një numër i tyre vendoset padrejtësisht kundër kërkesave ligjore në institucionet korrektuese të cilat nuk janë të specializuara për këtë kategori dhe presin shumë, ndoshta me muaj derisa të lirohet një vend”, ka thënë Muriqi.
Bazuar në legjislacion, këta persona duhet të mbahen në institucione të kujdesit shëndetësor. Sipas Kodit Penal të Kosovës, personat që nuk janë penalisht përgjegjës për shkak të gjendjes së tyre mendore mund t’i nënshtrohen trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në institucionet shëndetësore.
Avokati Arianit Koci ka thënë se shteti ka obligim jo vetëm të zhvillojë procedurë penale, por edhe të sigurojë trajtim adekuat për këta persona. “Jo çdo person me çrregullime mjekësore duhet të izolohet dhe të vendoset në atë institut, por ato raste që janë më të rënda, duhet patjetër aty të jenë.
Sidoqoftë shteti si shtet e zhvillon procedurën penale ndaj personit me çrregullim po në të njëjtën kohë ia mundëson trajtimin mjekësor në frymën e të drejtave të njeriut. Pra këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me përgjegjësi penale, por edhe me trajtimin e individit dhe me shkeljen eventuale të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Koci.
Në Departamentin Shëndetësor të Burgjeve kanë thënë se në të gjitha njësitë janë gjithsej 292 persona që marrin trajtim që lidhet më shëndetin mendor. 15 persona janë në pritje për ekspertizë psikiatrike ligjore dhe dy persona janë në pritje për trajtim të detyrueshëm psikiatrik.
Instituti i Psikiatrisë Forenzike nuk ka ofruar përgjigje lidhur me numrin aktual të personave me çrregullime mendore që kanë rënë ndesh me ligjin, e as për numrin e atyre që ndodhen në listë pritjeje. Po ashtu, as Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka ofruar të dhëna për numrin dhe gjendjen e këtyre personave në burgje e qendra të paraburgimit.
