Në botë karnavalet mbahen veç një herë në vit, Kurse te ne zgjedhjet zhvillohen pa asnjë limit. Sapo qytetarët nisin fushatën që ta harrojnë, Politikanët prapë me zhurmë skenën e pushtojnë. Në këtë teatër absurd, qytetari bie në zhgënjim, kujton zgjedhjet, pa u tharë boja në fletëvotim. Po sikur të ishte kompromisi disiplinë olimpike, vendi do të fitonte medalje në bojkotime historike.
Fjala “kompromis” trajtohet si specie e rrezikuar, ndërsa “zgjedhjet e reja” janë mall i shumëkërkuar. Me këtë ritëm ua kalojmë edhe katër stinëve në vit, se votojmë aq shpesh, sa liderët tanë nuk i mërzit. Mbase karnavali është i bukur për sy e për veshë, atëherë kur nuk zgjat më shumë se një ditë në shesh.
E kur maskat s’hiqen e premtimet s’kanë mbarim, shteti nuk ndërtohet me fjalë, por me mirëkuptim. Prandaj, mjaft me këtë valle që na ndjek hap pas hapi, e na sjell te kutitë, sa herë kur i prishet dikujt hesapi. Se populli s’ka nevojë për një tjetër proces – verbal, Por, për një vend normal… e jo për “karnaval”!()
