Dy javë pas martesës me aktorin Callum Turner në Villa Valguarnera të Siçilisë, Dua LipaDua Lipa ndau fotografitë nga ceremonia madhështore, duke zbuluar edhe fustanin e saj të nusërisë, një krijim unik i Chanel Haute Couture. Fustani, i realizuar posaçërisht për këngëtaren, shënon edhe krijimin e parë të nusërisë nga drejtori artistik i Chanel, Matthieu Blazy.
Dizajni kishte një siluetë elegante me dekolte të rrumbullakët dhe shpinë të hapur, të zbukuruar me detaje që imitonin bizhuteritë, shkruan The Telegraph. I gjithë fustani ishte punuar me dorë dhe përmbante plot 480 mijë rruaza të qepura nga Atelier Montex, ndërsa detajet dekorative kërkuan më shumë se 1.100 orë punë nga mjeshtrit e Lesage.
Pamja përrallore plotësohej nga një fund me bisht dy metra, i zbukuruar me 25 mijë pupla të realizuara nga Lemarie, si dhe nga një vello prej tyli gjashtë metra të gjatë, e qëndisur po ashtu me dorë. Këpucët e bardha prej sateni ishin krijuar posaçërisht nga Massaro, një tjetër shtëpi prestigjioze që bashkëpunon me Chanel.
Sipas shtëpisë franceze të modës, ky krijim erdhi si rezultat i marrëdhënies së ngushtë mes Dua Lipës dhe Chanel, duke vënë në pah mjeshtërinë dhe traditën e modës së lartë.
