Liverpool mund të përballet me një tjetër zhgënjim në merkato, pasi objektivi i tyre kryesor për mbrojtjen, Nico Schlotterbeck, raportohet se dëshiron të transferohet te Real Madridi. Pas emërimit të Andoni Iraolës në stol, “Reds” kanë qenë shumë aktivë në tregun e transferimeve.
Së fundmi ata siguruan shërbimet e Victor Muñoz nga Osasuna, por tani rrezikojnë të humbasin një tjetër objektiv të madh. Situata bëhet edhe më e ndërlikuar pasi ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Ibrahima Konate, ka vendosur të largohet nga “Anfield” dhe t’i bashkohet Real Madridit me parametra zero pas skadimit të kontratës.
Në këtë kontekst, Liverpool e sheh Schlotterbeckun si një zëvendësues ideal për Konaten ose si partner afatgjatë të Virgil van Dijkut. Mbrojtësi i Borussia Dortmund konsiderohet një nga qendërmbrojtësit më të mirë në Evropë.
Megjithëse ai rinovoi kontratën me Dortmundin në prill, raportimet sugjerojnë se marrëveshja përfshin një klauzolë speciale që u lejon disa klubeve të aktivizojnë largimin e tij për një shumë mes 50 dhe 60 milionë eurosh gjatë kësaj vere. Real Madridi në avantazh Sipas mediave gjermane dhe spanjolle, si Liverpooli ashtu edhe Real Madrid mund ta aktivizojnë këtë klauzolë.
Megjithatë, vetë lojtari raportohet se preferon një transferim në “Santiago Bernabéu”. Schlotterbeck dëshiron të ribashkohet me shokun e tij të kombëtares gjermane, Antonio Rudiger, i cili tashmë është pjesë e Real Madridit. Trajneri i madrilenëve, Jose Mourinho, thuhet se kërkon edhe një qendërmbrojtës të nivelit të lartë, pavarësisht ardhjes së Konates.
Rudiger e mbush me lëvdata I pyetur për bashkëlojtarin e tij te Gjermania, Rudiger nuk kurseu fjalët pozitive. “Nico ka qenë gjithmonë një kërcënim, veçanërisht në situatat nga topat e ndalur. Ai është agresiv, fiton duele dhe është i shkëlqyer në ndërtimin e lojës. Këmba e tij e majtë është ar”, deklaroi Rudiger.
Nëse transferimi realizohet, Schlotterbeck do t’u bashkohej emrave si Ibrahima Konate, Denzel Dumfries, Bernardo Silva dhe Marc Cucurella, të cilët janë përforcimet më të fundit të Real Madridit. Për Liverpoolin, kjo do të ishte një tjetër goditje e rëndë në merkato, pasi klubi anglez rrezikon të humbasë një nga objektivat më të rëndësishëm për rindërtimin e mbrojtjes.
