Kosova ka mësuar rivalen në play-off, ku takohen me Austrinë dhe shpresojnë se do të kalojnë edhe këtë sfidë dhe të shënojnë historinë e futbollit femëror në vendin tonë. Selektori i Kosovës, Sami Sermaxhaj shpreh optimizmin për shortin.
“Përfundimi në vendin e parë në grupin e UEFA Women’s Nations League, që na mundësoi ngjitjen në Ligën B, renditja më e lartë në historinë tonë në FIFA — vendi i 81-të në botë — si dhe fitorja 8:0, rezultati më i lartë i arritur deri më tani nga skuadra jonë, janë dëshmi e punës, përkushtimit dhe karakterit të ekipit Kombëtar të vajzave tona.
Falënderojmë Federatën e Futbollit të Kosovës për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Përgëzoj të gjitha lojtaret, stafin dhe të gjithë tifozët që kanë qenë pranë nesh në këtë rrugëtim të suksesshëm. Kemi arsye të jemi krenarë për atë që kemi arritur deri tani, por fokusi ynë mbetet te puna, përgatitja dhe sfidat që na presin.
Sot kemi mësuar se Austria do të jetë kundërshtari ynë në garat e play-off-it për kualifikim në FIFA Women’s World Cup 2027 në Brazil. E dimë që na pret një sfidë e fortë, por është gjithashtu një mundësi për të vazhduar të ëndërrojmë dhe, pse jo, të shkruajmë historinë”, ka shkruar Sami Sermaxhaj.
