Opozita e Shqipërisë e çon protestën në Kuvend

0%

Nga: Ardit Kika Shpërndaje në: Kuvendi i Shqipërisë është kthyer në arenë përplasjesh të forta, duke u dominuar nga atmosfera e protestës jashtë tij. Seanca e së enjtes është ndërprerë disa herë nga pak minuta e deri në disa orë Protestat e qytetarëve të Shqipërisë kundër projekteve ndërtimore në Zvërnec e Sazan dhe pakënaqësitë me skenën politike kanë nxitur tensione në Kuvend.

Salla e Kuvendit të Shqipërisë, të enjten ishte arenë proteste e opozitës që ka detyruar kuvendin të shkojë disa herë në pauzë. Opozitarët kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Rama, duke u thirrur në pakënaqësitë qytetare.

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare përmendën edhe raportin e Parlamentit Evropian të miratuar të mërkurën, ku u bëhet thirrje autoriteteve në Shqipëri të vendosin menjëherë ndalesë të ndërtimeve dhe të gjitha procedurave të reja të pajisjes me leje brenda zonave të mbrojtura. “Janë 18 ditë të papara në historinë e Shqipërisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk janë derdhur në sheshet e qyteteve të tyre në emër të asaj përgjegjësie që është përgjegjësia më e lartë pas përgjegjësisë para zotit, përgjegjësisë qytetare”, ka thënë Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Edhe deputeti opozitar Redi Muçi, kërkoi reflektim.

“Për procedurë, unë dua ta di edhe për sa kohë do të vazhdojnë të shtiren sikur nuk po ndodh asgjë, edhe për sa kohë do të vazhdojnë të krihen ndërkohë që flaka ka arritur te gjuri. Është dita e 19-të e një proteste, ku 100.000 qytetarë të këtij vendi kërkojnë dorëheqjen e kësaj qeverie dhe ju vazhdoni të bëni sikur nuk dëgjoni. Rezoluta e Parlamentit Evropian iu nxiu faqen”, ka thënë ai.

E, deputetët opozitarë nga PD-ja bllokuan edhe foltoren e Kuvendit dhe penguan edhe fjalimet e ministrave. Seanca është ndërprerë disa herë nga pak minuta e deri në disa orë. Ndërkaq, kryeministri Edi Rama në kundërpërgjigje ndaj reagimeve për raportin e PE-së tha se raporti s’ka të bëjë me Zvërnecin.

“Sa për ‘fitoren e parë’ flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, që e duan mjedisin si gjethe fiku për të nxitur një protestë, e cila s’ka më asnjë lidhje me mjedisin.

Sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë-Vjosë, ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me rezolutën.

Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, por është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale”, ka shkruar ai. Edhe të enjten mijëra qytetarë në Shqipëri i kanë vazhduar protestat kundër projektit ndërtimor që lidhet me dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Burimi: Koha