Shpërndaje në: Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka konfirmuar me gjashtë vota për dhe një kundër listën e kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Ekonomia Online. Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, tha se lista e kandidatëve është miratuar pas shqyrtimit të aplikimeve të pranuara në konkursin që u mbyll më 10 qershor.
“Me gjashtë vota për dhe një kundër u konfirmua lista e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, tha Gashi.
Pesë prokurorët që janë konfirmuar si kandidatë për këtë pozitë janë Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi – kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në mesin e kandidatëve nuk është kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, të cilin KPK-ja e pati zgjedhur në konkursin e rreth tre vjetëve më parë. Në tetor të 2023-tës, presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, nuk e pati dekretuar Isufajn me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes.
Që nga ajo kohë, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit është udhëhequr me ushtrues detyre.
