Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Shkrimtari Ibrahim Kadriu, i cili cilësohet si dëshmitar i epokave e mjeshtër i madh i romanit socio-historik, ka sjellë veprën e radhës me të cilën përjetëson në artin letrar edhe një kapitull të trishtë të qenies shqiptare.
“Ikja si shpëtim” botuar nga Botimet KOHA është promovuar të premten në Panairin e Librit në Prishtinë, si një rrëfim i cili lëviz ndërmjet kujtesës personale e përvojës kolektive, e aty ndërtohet universi ku liria, identiteti dhe dinjiteti njerëzor vihen vazhdimisht në sprovë.
Kryepersonazhi përjeton izolimin si ndarje nga të afërmit dhe nga jeta e zakonshme, por njëkohësisht edhe si mundësi reflektimi mbi lirinë, kujtesën dhe kuptimin e ekzistencës Ibrahim Kadriu konsiderohet si ndër shkrimtarët më produktivë të letërsisë bashkëkohore në Kosovë.
Me më shumë se 100 vepra prej të cilave mbi 40 janë romane, romani më i ri fundit e shkrimtarit, “Ikja si shpëtim” sjell në qendër dramën e individit shqiptar përballë shtypjes, burgut dhe fatit historik. Nëpërmjet rrëfimit që lëviz midis kujtesës personale e përvojës kolektive, në të ndërtohet universi ku liria, identiteti dhe dinjiteti njerëzor vihen vazhdimisht në sprovë.
Kështu është thënë në promovimin e veprës, të premten pasdite, në ditën e tretë të Panairit të Librit në Prishtinë. Është njëri prej titujve të rinj që Botimet KOHA, i sjellë enkas për edicionin e 26-të të ekspozitës më të madhe të librit në Kosovë.
Autori Ibrahim Kadriu, i cili cilësohet si dëshmitar i epokave e mjeshtër i madh i romanit socio-historik, i përkthyer në 11 gjuhë shkurt e ka komentuar raportin e tij me librin e sapobotuar të tij. “Në të vërtetë unë nuk e kam lexuar ende, andaj folësit më kanë nxitur ta lexoj tash si botim, por edhe të nervozohem. Zakonisht autori kur e lexon librin pasi botohet e sheh habinë, zbrazëti.
Por besoj se nuk do të ketë zbrazëti të madhe, por ato janë evidente. S’mund të flas për librin”, ka thënë Kadriu. Përurimin e ka hapur shkrimtari e studiuesi Xhevat Syla.
“Më duket është i nënti roman që botohet vetëm në këtë shtëpi botuese, por është kushedi se i sati roman i shkrimtarit Ibrahim Kadritu, i cili në letërsinë tonë është i njohur që nga vitet ’60 me shumë libra dhe me botime të tjera nga viti në vit. Madje më duket se nuk i dal hakut nëse them kështu, por nganjëherë edhe më shukmë se një libër brenda një viti”, ka thënë Syla për mikun e tij.
Sipas Sylës, shkrimtari Kadriu është autor i më se njëqind titujve të ndryshme të librave në poezi e prozë, edhe për fëmijë edhe për të rritur. “Ikja si shpëtim” vjen me rrëfimin e kryepersonazhit, Mal Coli, i cili përjeton izolimin si ndarje nga të afërmit dhe nga jeta e zakonshme, por njëkohësisht edhe si mundësi reflektimi mbi lirinë, kujtesën dhe kuptimin e ekzistencës.
Vlerësohet se romani kësisoj paraqitet si mozaik kujtese që ndërthur historinë personale me rrethanat politike dhe kritikën e sistemit që synon nënshtrimin e individit. Për romanin kanë folur Labinot Berisha dhe Avni Spahiu. Sipas leximit të tyre, vepra është si reflektim i thellë mbi përvojën historike shqiptare, por edhe analizë e mekanizmave të pushtetit dhe qëndresës individuale.
Autori Ibrahim Kadriu, i cili cilësohet si dëshmitar i epokave e mjeshtër i madh i romanit socio-historik (Foto: Driton Paçarada) Studiuesi Labinot Berisha ka thënë se romani e vendos në qendër figurën e të burgosurit politik duke e shndërruar atë në simbol të rezistencës morale përballë represionit.
“Në romanin ‘Ikja si shpëtim’ të Ibrahim Kadriut që u botua kohëve të fundit, shfaqet figura e të burgosurit politik si shenjë e qëndresës individuale ndaj një sistemi shtypës që synon jo vetëm kufizimin fizik të njeriut, por edhe nënshtrimin e ndërgjegjes së tij.
Nëpërmjet jetës së përditshme të burgut zbulohen mekanizmat e kontrollit politik, të izolimit shoqëror dhe të dhunës psikologjike që përdoren për të thyer personalitetin e individit”, ka thënë Berisha. Burgosja tek “Ikja…” ka dimensione të shumëfishta.
“Nuk shfaqet thjesht si ndëshkim juridik por si një proces i gjatë i riformësimit të detyruar të njeriut, ku synohet zhdukja e dinjitetit, e krenarisë dhe e identitetit”, ka thënë Berisha. Ai ka shpjeguar edhe mënyrën sesi autori e ka ndërtuar hapësirën e burgut duke e paraqitur atë si model të shoqërisë së kontrolluar.
Aty pushteti ushtron veprim përmes mbikëqyrjes së pandërprerë, të frikës dhe të keqpërdorimit. “Të burgosurit jetojnë në një ambient ku çdo fjalë mund të kthehet kundër tyre, ndërsa heshtja bëhet mjet mbijetese. Në këtë realitet, marrëdhëniet njerëzore shtrembërohen dhe besimi pothuajse zhduket.
Institucioni i spiunimit paraqitet si një nga instrumentet më efektive të kontrollit, pasi krijon pasiguri të vazhdueshme dhe e shkatërron solidaritetin mes njerëzve”, ka vlerësuar Berisha më tej. Derisa ka folur për përmbajtjen, ka thënë se personazhi kryesor e përcjell vetminë si njërën ndër format më të rënda të torturës psikologjike.
E, romanin në përgjithësi, e ka konsideruar si “mozaik kujtese që ndërthur jetën personale, rrethanat politike dhe kritikën shoqërore”. Publicisti e shkrimtari, Avni Spahiu, ka thënë se romani sjell përballjen e njeriut shqiptar me një fatin e rëndë historik që ka shoqëruar breza të tërë. Sipas tij, romani ndërtohet mbi motivin e fatit tragjik që mishërohet në figurën e Mal Colit.
“’Ikja si zgjidhje’, romani më i ri i Ibrahim Kadriut, shkrimtarit të njohur dhe më prolifik të letërsisë sonë, sjell një përballje me një fakt të pamohueshëm historik të njeriut shqiptar, në të dy anët e kombit të ndarë.
Si lajtmotiv është fati tragjik i brezave që përshkon përmes copëzave të fatit të karakterit kryesor të romanit, Mal Coli, dhe si personifikim i përvojave kolektive të brezave nëpër kohë, i përshkruar si paracaktim gjithëkohor, i pashmangshëm, shkatërrimtar.
Ky ‘fat’ i zi ka të bëjë me dëshpërimin, vuajtjen, humbjen personale tronditëse që përfundon shpesh me fatkeqësi rrethanore të papërballueshme, përshkruar përmes një vije të hollë narracioni që bën autorin të jetë i lexuar me një ekzaltim të veçantë”, ka vlerësuar Spahiu. Ai ka thënë se kapitujt e romanit janë në renditje të ndjenjës së trishtimit dhe humbjes së shpresave.
“Autori ia arrin që përmes një trajtimi josipërfaqësor të psikologjisë së të burgosurit të sheshojë dilemën e tij si një eksperiment fondamental teorik dhe psikologjik, që modelon tendosjen në brendësinë e realitetit të hidhur personal dhe të interesave më sipërore të kolektivitetit.
Kjo shpërfaq mënyrën se si një individ racional mund të zgjedhë në dy situata të ndryshme, duke refuzuar bashkëpunimin me dhunuesin edhe atëherë kur kjo është në interesin e tij më të mirë personal për ta bërë këtë. Romani përpunon në detaje psikologjinë e burgut dhe synimin ultimativ”, ka thënë Spahiu më tej.
“Ikja si shpëtim” vjen si një prej romaneve që e rikthen vëmendjen te përvoja e burgut politik dhe te pasojat që sistemet shtypëse kanë lënë mbi jetën e njerëzve. Por përtej kësaj, romani i Ibrahim Kradriut është edhe meditim mbi fatin historik shqiptar, mbi kujtesën kolektive dhe mbi aftësinë e njeriut për të ruajtur identitetin e vet edhe në rrethanat më të rënda.
