Hetimet kanë nxjerrë detaje të reja lidhur me vilën luksoze të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku në Dhërmi. Ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku u shtuan edhe dy akuza të tjera, se ajo e korrupsionit dhe e pastrimit të parave.
News24 mëson se menaxheri i shitjeve të shoqërisë “Brunes” sh.a, S.K., ka dhënë deklarime para autoriteteve lidhur me njohjen dhe komunikimet me shtetasin Julian Kelo, duke treguar për një rast blerjeje me vlerë të konsiderueshme materiale ndërtimi për një pishinë në Dhërmi.
Pjesë nga dëshmia; Sipas deklarimit, menaxheri kujton një porosi të vetme të madhe, e cila përfshinte materiale si pllaka dhe pajisje të tjera të nevojshme për ndërtimin e një pishine në një kompleks vilash në Dhërmi, i ndërtuar nga Pandeli Carapuli. Ai thekson se informacioni për destinacionin e projektit i ishte komunikuar nga vetë Kelo.
Sipas dëshmisë, blerja është realizuar përmes disa faturave të lëshuara në muajt qershor 2020, ku si subjekt blerës është shënuar shoqëria “Albanian Facility Management” sh.p.k, ndërsa mallrat janë dërguar në Dhërmi dhe Palasë. Menaxheri deklaron se faturat lidhen me porosinë e bërë nga Kelo për ndërtimin e pishinës.
Ai shton se fillimisht është bërë një fletëporosi përmes email-it të punës, e cila shërbente si bazë për përgatitjen e preventivit dhe përzgjedhjen e materialeve. Sipas tij, produktet në fletëporosi mund të ndryshonin lehtësisht nga ato të dorëzuara përfundimisht, në varësi të kërkesave të klientit dhe gjendjes së stokut.
Në deklarimin e dhënë më , menaxheri shprehet gjithashtu se e ka takuar për herë të fundit Julian Kelo rreth dy javë më parë, në ambientet e shoqërisë në autostradën Tiranë–Durrës. Sipas tij, Kelo ka kërkuar sqarime mbi blerje të kryera në emër të tij dhe mbi komunikimet e mëparshme për porositë e pishinës.
Gjatë kontrollit të komunikimeve, menaxheri deklaron se në telefon nuk kishte më mesazhe të ruajtura, për shkak të kalimit të kohës dhe ndërrimit të pajisjeve, ndërsa në email-in e punës është konstatuar një komunikim i lidhur me fletëporosinë fillestare.
Sipas dëshmisë, kur ky email është rishikuar në prani të Kelos, ky i fundit ka kërkuar fshirjen e tij, kërkesë e cila nuk është pranuar nga menaxheri, i cili ka sqaruar se nuk kishte akses për fshirje dhe se çdo gjurmë transaksionesh mbetet e dokumentuar në faturat tatimore. Pas këtij momenti, sipas deklarimit, Kelo është larguar nga ambientet e kompanisë.
