Në një aksion që po zhvillohet në disa lokacione që nga orët e mëngjesit, është arrestuar ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Ilço Gjorgjioski, raportojnë mediat në Maqedoninë e Veriut.
Nën drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë Financiare, po kryhen kontrolle dhe bastisje në disa lokacione.
Kundër Gjorgjioskit ishte ngritur kallëzim penal që në vitin 2019 për veprat penale “evazion fiskal” dhe “falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë”, gjatë kohës kur ai drejtonte FFM-në.
Ai dyshohet se ka paraqitur të dhëna të rreme në bilancin përfundimtar financiar dhe nuk ka paguar tatimin mbi fitimin, duke i mundësuar federatës përfitim të kundërligjshëm prej 1.690.912 denarësh, ndërsa për të njëjtën shumë dyshohet se është dëmtuar buxheti i shtetit.
Së bashku me të është arrestuar edhe Olgica Mlladenovska, e cila ishte përgjegjëse për sektorin financiar gjatë mandatit të tij, si dhe rreth dhjetë persona të tjerë. Ata dyshohen për keqpërdorime financiare me të cilat është dëmtuar buxheti i “Shtëpisë së Futbollit”.
Pak kohë më parë ishte arrestuar edhe pasardhësi i tij në krye të FFM-së, Muamed Sejdini, nën dyshimet për përvetësimin e rreth 700 mijë eurove nga një donacion i UEFA, i destinuar për ndërtimin e një tribune në stadiumin e Ohrit. Hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim dhe autoritetet pritet të japin më shumë detaje gjatë ditës.
