Real Madridi ka refuzuar kërkesën e një lojtari për të ndërprerë kontratën me marrëveshje të dyanshme, me qëllim që ai të përshpejtojë largimin nga klubi gjatë kësaj vere. “Los Blancos” pritet të pësojnë ndryshime të mëdha në skuadër pas rikthimit të Jose Mourinhos në stol. Në kuadër të rindërtimit pas një sezoni pa trofe, klubi ka afruar emra si Ibrahima Konate, Bernardo Silva, Denzel Dumfries dhe Marc Cucurella. Si pasojë, disa lojtarë pritet të largohen nga “Santiago Bernabeu”, ndërsa mes emrave të përfolur për dalje janë Eduardo Camavinga, Rodrygo, Franco Mastantuono, Fran Garcia dhe Raul Asencio. E paqartë mbetet edhe e ardhmja e mesfushorit Dani Ceballos, kontrata e të cilit skadon pas vetëm një viti. Spanjolli ka zhvilluar mbi 200 ndeshje me fanellën e Real Madridit, por në vitet e fundit ka pasur kryesisht rol dytësor në skuadër, pasi u rikthye nga huazimi dyvjeçar te Arsenali. Sipas raportimit të Mundo Deportivo , dëshira e Ceballos është të rikthehet te ish-klubi i tij, Real Betis, dhe ai madje ka propozuar të heqë dorë nga viti i fundit i kontratës për t’u larguar si lojtar i lirë. Megjithatë, drejtuesit e Real Madridit nuk janë dakord me këtë skenar. Klubi spanjoll dëshiron të përfitojë financiarisht nga largimi i tij dhe nuk ka ndërmend ta lërë të largohet pa dëmshpërblim. Real Madridi ka në shënjestër tre emra të mëdhenj për mesfushën Raporti shton se Real Madridi e vlerëson Ceballos rreth 8 milionë euro dhe beson se mesfushori 29-vjeçar vazhdon të ketë vlerë të konsiderueshme në treg. Nga ana tjetër, Real Betis nuk është i gatshëm të paguajë shumën që kërkojnë madrilenët, çka mund ta vështirësojë rikthimin e shumëpritur të Ceballos në klubin andaluzian, përveç nëse palët arrijnë një marrëveshje. Përveç Betisit, interesim të fortë për spanjollin ka shfaqur edhe gjiganti holandez Ajax, i cili thuhet se është afër arritjes së një marrëveshjeje me vlerë të përafërt me atë që kërkon Real Madridi./ T elegrafi
