Shqipëria anëtare e UNESCO-s/ 73 vota i japin vendit rol në Komitetin e Trashëgimisë Kulturore 2026-2030

0%

Shqipëria është zgjedhur anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale në kuadër të UNESCO për periudhën 2026–2030. Vendimi është marrë me 73 vota në favor, duke i dhënë vendit një rol në një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare që merret me mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore jomateriale. Ministri Blendi Gonxhe e ka bërë të ditur këtë zhvillim në një postim në Facebook, duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ky mandat i ri i jep vendit mundësinë të jetë pjesë aktive e vendimmarrjes globale për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore. Në reagim theksohet se ky rezultat vjen si vlerësim i punës së institucioneve shqiptare, ekspertëve dhe komuniteteve që prej vitesh kontribuojnë në mbrojtjen e pasurisë kulturore. Shqipëria pritet të kontribuojë në zbatimin e Konventës së vitit 2003 të UNESCO-s, duke marrë pjesë në vendimmarrje dhe nisma ndërkombëtare për trashëgiminë jomateriale.

Burimi: Bota Sot