“Shkelje e plotë e ligjit”, Murati kërkon ndërhyrje të organeve të rendit në Komunën e Prishtinës

0%

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar lidhur me mënyrën se si Komuna e Prishtinës po synon të organizojë shërbimin e transportit publik përmes operatorëve privatë, duke theksuar se çdo veprim në këtë drejtim duhet të jetë në përputhje të plotë me ligjin në fuqi për partneritetin publiko-privat. Sipas Muratit, ofrimi i shërbimeve publike si transporti urban mund të realizohet edhe përmes kompanive private, por vetëm nëse respektohen procedurat e përcaktuara qartë në ligjin për PPP. Ai ka nënvizuar se këto procedura janë thelbësore për të garantuar transparencë dhe për të shmangur keqpërdorimin e parasë publike. Ai ka shtuar se, sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë nga hapat proceduralë të kërkuar me ligj, duke e cilësuar si problematike çdo marrëveshje apo kontratë të nënshkruar në këtë drejtim. Murati ka pretenduar se një veprim i tillë bie ndesh me Ligjin për Partneritet Publiko Privat. Postim i plotë: Ofrimi i shërbimeve publike siç është transporti publik, mund të bëhet edhe përmes operatorëve privatë siç po dëshiron ta bëjë Komuna e Prishtinës, mirëpo kjo gjë duhet të bëhet sipas procedurave që parashihen në Ligjin për Partneritet Publiko Privat, për t’u siguruar se paraja publike nuk keqpërdoret. Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nëshkruar në lidhje me këtë çështje, ajo është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko Privat. Organet e rendit do duhej të vepronin sa më parë në lidhje me këtë rast në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike.

Burimi: Bota Sot