Nga: Augustin Palokaj Shpërndaje në: “Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm”, ka thënë Mark Rutte, në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, që zhvillohet nesër dhe pasnesër Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur lajm të mirë faktin se NATO-ja po planifikon të reduktojë numrin e ushtarëve të saj në Kosovë si pasojë e përmirësimit të situatës së sigurisë. Para disa ditësh “optimizimin” e misionit të KFOR-it në Kosovë e kishte paralajmëruar edhe komandanti i forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich. Rutte të mërkurën foli para gazetarëve në Bruksel në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të kësaj aleance, që zhvillohet nesër dhe pasnesër. “Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm”, ka thënë Mark Rutte. Sipas të dhënave të fundit, nga muaji prill misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë ka 4657 persona nga 31 shtete, jo të gjitha anëtare të NATO-s. Më së shumti ushtarë ka nga Italia 907, pasuar me 590 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 408 nga Hungaria, 382 nga Turqia dhe 308 nga Gjermania. Në selinë e NATO-s në Bruksel kanë thënë vazhdimisht se NATO-ja në Kosovë do të ketë gjithmonë numër të duhur të ushtarëve që kërkon situata në mënyrë që të jetë në gjendje të zbatojë mandatin e saj. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha të mërkurën se vazhdimisht po shikohet se si më së miri të rregullohet prania e KFOR-it në Kosovë. “Duke shikuar përpara në këtë moment shohim se KFOR-i ka një forcë prej rreth 4700 trupash. Ajo që do të bëjmë është që të kthehemi në nivelin e pranisë që e kishim para vitit 2023. Natyrisht kjo do të varet edhe nga rrethanat dhe do të shohim se KFOR-i do të ketë mes 3000 dhe 3500 trupa. Kjo, mendoj unë, reflekton situatën e përmirësuar të sigurisë”, ka thënë Rutte, duke përsëritur se misioni i KFOR-it do të mbetet i fokusuar në detyrën bazë që ka. NATO-ja pas trazirave të majit të vitit 2023 dhe sulmit terrorist në Banjskë, në vjeshtë të të njëjtit vit, kishte rritur praninë në Kosovë, sidomos në veriun e banuar kryesisht me serbë. Tash në NATO vlerësojnë se situata e sigurisë është përmirësuar dukshëm dhe kjo lejon optimizim të ri të pranisë së NATO-s në Kosovë.
