Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se më datë , rreth orës , në rrugën ‘’Feriz Guri’’ në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet përkatëse kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, si dhe sigurimin e provave materiale në vendin e ngjarjes. “Gjatë veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, dyshohet se personi me inicialet N.B., ka kryer veprën penale ‘’Vrasje në tentativë’’, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisja nga Policia e Kosovës, ku aty është gjetur një armë e gjatë, shtatë (7) gëzhoja dhe trembëdhjetë (13) fishekë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale gjatë zhvillimit të procedurës hetimore. Ndërkohë, gjatë ekzaminimeve përkatëse, nga njësitet relevante, është konstatuar se në automjetin e viktimës, Sh.K. është gjetur dhe sekuestruar një (1) armë dhe dymbëdhjetë (12) fishekë. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe arrestimin e personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.
