Parlamenti Evropian miraton raportin për Kosovën

0%

Shpërndaje në: Parlamenti Evropian me shumicë e ka votuar raportin për Kosovën të mërkurën në Bruksel. Raporti shpreh mbështetje të fuqishme për synimet e Kosovës për integrim në BE, përsërit kërkesën për njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet anëtare, por shpreh keqardhje për ngërçin politik dhe polarizimet që po e shoqërojnë vendin edhe një palë zgjedhje, si dhe për rrezikun që Kosova, si pasojë e kësaj, të humbë mjete të konsiderueshme financiare. Në një postim në “X”, raportuesi për Kosovën, estonezi Riho Terras, ka thënë se në favor të raportit votuan 412 europarlamentarë, kundër 174 e abstenuan 58. “Vazhdimi i reformave dhe progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbeten thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës”, ka shkruar Terras. Raporti thekson se viti 2025 ka qenë i humbur për shkak të ngërçit politik dhe se edhe muajt e ardhshëm mund të humben për Kosovën për shkak të zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilin vendi shkon pas dështimit për të zgjedhur presidentin. Mjetet financiare nga Plani i Rritjes mund të humben pasi Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme brenda periudhës së caktuar kohore. Në raport është vlerësuar fakti se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt, është përshëndetur formimi i qeverisë, por nuk është siguruar edhe kompromisi për zgjedhjen e presidentit. “Mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Përsëritet thirrja për shtetet anëtare në Këshill që t’i bëjnë ftesë Komisionit Evropian për të dërguar pyetësorin pa vonesa të reja dhe të japë mendimin e bazuar në merita për aplikimin e vendit për anëtarësim në BE . Thërret Këshillin që të veprojë shpejt, përfshirë edhe duke i dhënë statusin e kandidatit kur kriteret përkatëse të jenë përmbushur”, thuhet në tekstin e aportit. “Bëjmë ftesë për pesë vendet mosnjohëse, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri tash, që ta bëjnë këtë pa vonesa, për të mundësuar avancimin e Kosovës në baza të barabarta me kandidatët e tjerë”, thuhet në raport. Po ashtu, rikujtohet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik të vitit 2010, ka dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Është mirëpritur edhe deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila ndihmon në përballjen me kërcënimet hibride të sigurisë në rajon. One of the key enlargement votes of June plenary. @Europarl_EN has adopted my report on #Kosovo with a strong majority: ✅ In favour: 412 ❌ Against: 174 ⚪ Abstentions: 58 Continued reforms and progress in the #EU -facilitated dialogue remain essential on the 🇪🇺path. @EPPGroup pic.twitter.com/FfsPBAqGre — Riho Terras (@RihoTerras) June 17, 2026

Burimi: Koha