Mbretëria e Bashkuar riafirmon përkrahjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës

0%

Ambasada Britanike në Kosovë ka organizuar një takim me ish-studentët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që kanë ndjekur studimet dhe trajnimet profesionale në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën me Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të akredituar në Kosovë, nënkolonelen Denise Mc Mahon, si dhe me Këshilltarin e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, nënkolonelin Richard Boyle. Sipas njoftimit të Ambasadës Britanike, anëtarët e rrjetit të ish-studentëve të FSK-së u mblodhën për të festuar partneritetin e gjatë ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. “Pjesëmarrësit nga rrjeti i ish-studentëve të FSK-së në Mbretërinë e Bashkuar u takuan për të festuar partneritetin e gjatë në mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës, për të rilidhur dhe për të shqyrtuar ndikimin e mundësive të arsimit dhe zhvillimit profesional në Mbretërinë e Bashkuar” , thuhet në njoftim. Ambasada Britanike theksoi se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të forcojë bashkëpunimin dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve.

Burimi: Bota Sot