Shpërndaje në: Mbrojtësi i Hoffenheimit, Albian Hajdari, ka folur edhe njëherë për vendimin për të përfaqësuar Kosovën e jo Zvicrën. Hajdari ka thënë se Zvicrën dhe Kosovën “i ka shumë afër zemrës”. “Ndihem si në shtëpi në të dy vendet dhe mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Hajdari, shkruan “Blue Sport” të mërkurën. Por me çfarë identifikohet Hajdari? “Gjithmonë do të thoja: jetoj në Zvicër, por jam shqiptar i Kosovës”, është përgjigjur Hajdari, i cili në vjeshtën e vitit të kaluar debutoi për Kosovën, pasi kishte luajtur një ndeshje për Zvicrën. Hajdari është bërë shpejt prej lojtarëve kyç te Kosova. Sascha Ruefer, prezantues në Radio Televizionin Zviceran SRF, ka thënë se Zvicra ishte me fat që Kosova nuk u pranua në UEFA dhe FIFA deri në vitin 2016. “Nuk jam i sigurt nëse ekipi kombëtar zviceran do të kishte qenë në gjendje të mbështetej te Xhaka dhe Shaqiri nëse ndërrimi do të kishte qenë i mundur më herët”, thotë Ruefer.
