Emrat e përfaqësuesve të popullit në organin më të lartë legjislativ në vend pothuajse janë bërë të qartë. Me numërimin e mbi 97 për qind të votave në tërësi, procesi po shkon drejt fundit dhe tashmë dihet për numrin e mandateve në secilën parti politike. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse apo 47.15 për qind të votave. Në krye janë ata që kanë qenë të parët në listë, ndërsa ka emra të rinj që do të jenë për herë të parë në Kuvend, por megjithatë dikush e ka humbur mandatin, si ish-ministrja Rozeta Hajdari, Fatos Geci e Naim Bardiqi. Partia Demokratike e Kosovës, si e dyta, ka 22 mandate apo 19.45% Kreu i partisë është i pari dhe pas tij janë dy prej emrave që janë votuar më së shumti në dy palë zgjedhjet e fundit, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, pasuar me kandidatët që kanë qenë deputetë në legjislaturën e kaluar. Kësaj radhe ka arritur të sigurojë ulëse edhe Eliza Hoxha, e cila më 28 dhjetor nuk u bë deputete. Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 18 ulëse apo 16.71 për qind. Përveç ish-presidentes Vjosa Osmani e cila futet në Parlamentin e Kosovës, krah saj do të jenë edhe ish-deputetët e kësaj partie politike që kishin siguruar mandate edhe në zgjedhjet e kaluara. Në mesin e ardhjeve të reja te ky subjekt politik pas ribashkimit, e vetmja që ka siguruar ulëse është Albena Reshitaj. Kësaj radhe, edhe Paris Guri ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet. Aleanca do të futet në Kuvend me shtatë deputetë apo 6.62 për qind pas rritjes në zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithatë, emrat pritet të ndryshojnë sepse kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini, ka paralajmëruar se do ta lëshojë karrigen e deputetit. Njësoj do të veprojë edhe Daut Haradinaj. Se kush janë të gjithë kandidatët që pritet të bëhen deputetët e ardhshëm të Kosovës mund t’i gjeni në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Deputetët e ardhshëm të LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës: Kush fitoi e kush mbetet jashtë?

Burimi:
Bota Sot