Kombëtarja e Kroacisë do të zhvillojë ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës të mërkurën në orën sipas kohës lokale, ku do të përballet me Anglinë në Dallas. Skuadra kroate ka mbërritur në qytetin pritës të ndeshjes, ndërsa trajneri Zlatko Dalic foli në konferencën për shtyp para sfidës hapëse të turneut. Dalić e cilësoi Anglinë si kundërshtarin më të vështirë të mundshëm në fillim të kompeticionit. “Na pret një ndeshje e vështirë, fillimi i Kupës së Botës. Kundërshtari më i vështirë i mundshëm. Jam i kënaqur me përgatitjet dhe duam të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. E njohim cilësinë e Anglisë, ashtu siç edhe ata na njohin ne”, deklaroi Dalic. Ai theksoi rrezikun që vjen nga sulmi anglez, duke veçuar kapitenin Harry Kane. “Ata janë shumë të rrezikshëm në krahë dhe kanë sulmuesin më të mirë në botë, Kane, të cilin është e vështirë ta ndalësh. Jemi përgatitur edhe për situatat standarde. Presim një ndeshje të fortë dhe do të bëjmë gjithçka për të qenë në nivelin e duhur”, shtoi ai. Trajneri kroat foli edhe për talentin e ri, Vuskovic, duke e vlerësuar lart potencialin e tij. “Ai ka potencial të madh dhe mund të ndjekë rrugën e Guardiolës. Është lojtar shumë i zgjuar dhe mund të bëhet lider i Kroacisë në vitet e ardhshme”, u shpreh Dalić. Ai gjithashtu u ndal te rëndësia e Luka Modric në skuadër. “Si kapiten dhe lider në fushë, ai është shumë i rëndësishëm për ne. Lojtarët e rinj janë me fat që e kanë pranë, ai u tregon çfarë do të thotë të luftosh për fanellën e Kroacisë”, tha trajneri. Duke folur për ambiciet në këtë Botëror, Dalic u shpreh se ekipi nuk jeton më me sukseset e kaluara. “Medaljet ishin një mrekulli, por kjo është e kaluar. Nuk mund të jetojmë me to përgjithmonë. Kemi ambicie të mëdha dhe jemi gati për sfida të reja, por ka shumë ekipe të forta që synojnë të njëjtën gjë si ne”, përfundoi ai.
Dalic paralajmëron kundërshtarët: Kroacia nuk jeton me sukseset e kaluara, kemi ambicie të mëdha

Burimi:
Telegrafi